Kosova bëhet me ‘gardianë’ të trashëgimisë kulturore

0
290

Berat Hadri, Labërie Dakaj dhe Pajtim Zogaj janë inspektorët e parë të cilët janë zgjedhur nga Ministria e Kulturës për të qenë pjesë e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Ministri Kujtim Gashi i cili edhe prezantoi inspektorët para medieve i konsideroi ata gardianë të trashëgimisë kulturore duke theksuar se mendon se janë pikërisht inspektorët e trashëgimisë kulturore ata të cilët mund të mbrojnë trashëgiminë e vendit.

Alberina Haxhijaj

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi theksoi se Ministria kan shumë punë për të bërë në këtë fushë dhe tashmë ka ndarë edhe mjete të mjaftueshme nëpër qendra të trashëgimisë kulture të cilët po hartojnë projekte të ndryshme me qëllim që të ruajnë këto asete të çmueshme për Kosovën.

“Deri më tani ndoshta edhe si mungesë e inspektorëve të trashëgimisë kulturore ne kemi pasur herë edhe shkatërrim të trashëgimisë së kulturës, madje edhe dëmtime të pjesshme të aseteve tona të çmuara por veçanërisht viteve të fundit kemi pasur edhe një degradim të madh të trashëgimisë kulturore në disa prej qyteteve të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai duke theksuar se tashme viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë kulturore dhe se ky është vetëm hapi i parë drejt këtij synimi.

“Kosova ka nevojë për gardianë të trashëgimisë kulturore dhe ne kemi menduar se pikërisht këta janë njerëzit të cilët mund ta mbrojnë trashëgiminë tonë kulturore”, u shpreh Gashi i cili tha se ky mekanizëm do të jetë 24 orë në monitorim të aseteve tona të trashëgimisë kulturore.
Ky veprim u konsiderua edhe një përmbushje e detyrave që ka kjo Ministri ndaj plotësimit të kritereve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Ditëve në vazhdim do të kërkojmë edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës por edhe nga Ministria e Financave që të na mundësojnë që të rrisim këtë numër. Ne jemi në proces të marrjes edhe të një inspektori ku do të kemi katër inspektorë dhe një punëtorë administrativ që do e ndihmojë këtë mekanizëm. Kurse muajve dhe viteve në vazhdim ky numër do të rritet sepse Kosova ka një trashëgimi të çmuar dhe ka nevojë për një numër më të madh”, përfundoi ministri Kujtim Gashi.

Berat Hadri i cili do të jetë udhëheqësi i zyrës së Inspektoratiti të Trashëgimisë Kulturore njoftoi se ata tashmë kanë filluar që të hartojnë aktet nënligjore më të cilat do të punojnë si dhe rregulloren e punës së këtij inspektorati.

“Ne jemi në hartim të rregullores dhe tashmë është bërë një draft i rregullores në lidhje me kompetencat dhe detyrat e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore dhe mendojmë se do të jetë gati më 31 mars”, u shpreh ai duke shtuar se pas kësaj do të vazhdojnë tutje me punën në terren dhe monitorimin e aseteve të trashëgimisë kulturore.

Gjithashtu u bë e ditur se së shpejti do të krijohet edhe një komunikim online në kuadër të zyrës së trashëgimisë. Aty, qytetarët do të kenë mundësi që të raportojnë raste të caktuar në mënyrë që inspektorët të veprojnë pastaj. Në vitit 2006, kur edhe është miratuar Ligji për Trashëgimi Kulturore, Inspektorati është paraparë si organ që do të inspektojë monumentet që mbrohen nga shteti./KultPlus.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here