“Medium”: 10 arsye pse Kosova duhet të jetë destinacioni juaj i radhës

0
698

“Medium” është një sajt i lansuar nga dy themeluesit e rrjetit social “Twitter”, i cili shërben si platformë standarde e ‘blogimit’, ku njerëzit mund t’i ndajnë idetë dhe përvojat e tyre të cilat janë më të gjata se 140 shkronja dhe që nuk janë vetëm për miq.

Sot, në këtë sajt është publikuar një artikull për bukuritë e Kosovës, dhe në këtë artikull shtjellohen dhjetë arsyet se përse për çdo njeri Kosova duhet të jetë destinacioni i radhës për t’u vizituar.

10 ARSYE PËR TA BËRË KOSOVËN VENDIN E ARDHSHËM PËR TA VIZITUAR

Kosova është një vend i mbyllur ku mund të eksploroni natyrën gjatë tërë vitit, përderisa qëndrimin tuaj në Kosovë e shijoni me ushqimet unike dhe duke e pasuruar shpirtin përmes vizitimit të vendeve trashëgimore-kulturore.  Në Kosovë mund ta sfidoni veten me alpinizëm, me çiklizëm në pyll, duke u lëshuar me ‘zipline’, ose duke u luhatur në pothuajse 900 metra mbi lartësinë detare.

Relaksimin mund ta gjeni duke bërë joga në natyrë, ose duke kënduar karioke në ndonjë vend periferik larg turmës së çmendur. Veç kësaj, Kosovën mund ta përballojë financiarisht secili turist!

Ndiqni gjurmët e aventurës dhe kënaqësisë – ato ju shpien në Kosovë.

1. Dy vende për ‘Via Ferrata’: Pejë dhe Zubin Potok
Vetëm guxoni të imagjinoni çfarë ndodh pas secilit hap dhe përgatiteni veten për pamjet magjepsëse. Qoftë nëse jeni alpinist apo jo, shtigjet e ‘Via Ferratas’ – një në pjesën perëndimore të shtetit, dhe një tjetër në veri, janë të qasshme për çdo njeri. Për shkak të pozitës gjeografike të këtij shteti dhe kushteve klimatike, dy vendet për ‘Via Ferrata’ mund të shfrytëzohen thuajse gjatë tërë vitit. Profesionistët e trajnuar mirë dhe të shoqërueshëm, do t’ju udhëzojnë gjatë tërë kohës.

2. Turne çiklizmi në Pejë, Prishtinë, Junik dhe Graçanicë
Si një mënyrë e mirë ekologjike për ta përjetuar Kosovën, ju mund të merrni ndonjë biçikletë me qira apo t’i bashkëngjiteni ndonjë ekipi me profesionistë për të vizituar vendet historike – disa prej të cilave janë nën mbrojtje nga UNESCO. Përgjatë rrugëtimit tuaj me biçikletë, ju do ta shihni se një përzierje e së kaluarës me të tanishmen e bëjnë Kosovën si vend të përsosur për ta vizituar, transmeton Telegrafi.

3. Hiking, Kamping dhe Joga
Imagjinojeni këtë: e filloni ditën e re me pajisje hiking-u në çantën e shpinës. I/e ndjekur nga fluturat, ju i zbuloni formacionet e mahnitshme të natyrës vetëm disa kilometra larg nga rrëmuja urbanistike. Mëngjesin tjetër, ju e gjeni balancimin tuaj të brendshëm duke bërë joga në një nga vendet më elegante në Kosovë. Tani jeni krejtësisht të gatshëm të vazhdoni rrugën për ta eksploruar më tutje Kosovën.

4. Kajaki në liqenin e Badovcit
Të kuq, të portokalltë, të gjelbër apo të verdhë: zgjidhni ngjyrën e kajakit me të cilin dëshironi t’i lundroni ujërat e kaltër të liqenit të Badovcit, i cili rrethohet nga pyjet dhe gjendet rreth 16 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës. Peshku dhe mishi ju presin në skarë derisa ju të ktheheni nga shëtitja!

5. Zip-Line në Pejë
Njerëzit janë lindur për të fluturuar, ndërsa ‘zip-linet’ janë ndihma më e mirë për ta bërë këtë. Kalojeni Grykën e Rugovës nga ajri duke u lëshuar 640 metra në zip-line – i cili hyn në dhjetëshen e më të mirëve në botë. Fillimisht, ju duhet të ecni në rrugët freskuese të malit për të arritur në vendin e nisjes. Brengoseni për shpejtësinë e udhëtimit? A mund ta mposhtni erën? Kjo ju mbetet juve ta zbuloni, transmeton Telegrafi.

6. Eksplorimi i shpellave në Radavc
Vetëm 11 kilometra nga qyteti i Pejës në pjesën perëndimore të Kosovës shtrihet një tunel i ngushtë i cili është hyrja e shpellës në Radavc. Formacionet e gurëve krijojnë ngjyra të mahnitshme, ndërsa kur futeni më thellë shihni basene guri të krijuara përgjatë kohës nga uji që rrjedhë. Një stalaktit në formë dore – gishtat e “Bukurisë së Fjetur” – janë të drejtuar në dyshemenë e kësaj shpelle, ndoshta në drejtim të thesareve që janë fshehur nga Koha.

7. ‘Adventure Park’ dhe Luhatësja Gjigante
Përgatiteni veten për të filluar një eksperiencë jashtëzakonisht të mirë të aventurës dhe natyrës! ‘Adventure Park’ i cili gjendet në Pejë, me lokacion në maje të kodrës, pra mbi 900 metra mbi lartësinë detare, ofron një seri platformash për t’u kënaqur. Parku është argëtues, i sigurt dhe pamja nga atje lart është magjepsëse. Testoni limitet tuaja duke e provuar Luhatësen Gjigante!

8. Hiking në Rugovë dhe Brezovicë
Dimri është këtu. Ju mungon hiking-u në natyrë. Epo, kush tha se nuk mund të bëni viking? Mbathni një palë këpucë bore dhe shkoni eksploroni natyrën me këmbët tuaja, për t’u kthyer më vonë ta shijoni ushqimin e nxehtë tradicional!

9. Skijim gjatë natës në shpatet e Bogës
Ndiheni romantik, i pa frikshëm, apo të dyja? Aftësitë tuaja mund t’i provoni në skijim – por këtë mund ta bëni edhe gjatë natës sepse dritat e veçanta i ndriçojnë shtigjet e Bogës, duke i bërë të përshtatshme për skijim gjatë tërë natës. Përveç se do t’i bonifikoni muskujt dhe ta përmirësoni qarkullimin e gjakut, ju edhe do t’i zgjeroni përvojat tuaja të skijimit.

10. Shtegu ‘Via Dinarica’
Via Dinarica është shteg i mahnitshëm natyral i cili kalon përmes zemrës së Ballkanit Perëndimor, fillon në Slloveni (alpet Dinarike) e deri në Maqedoni (Malet e Sharrit). Kosova tani është pjesë e kësaj përvoje të trekking-ut. Segmenti i Via Dinarikës në Kosovë fillon nga fshati i Rekës e Allagës në Luginën e Rugovës, e përmes Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna, në Gjeravicë, e në fund në Malet e Sharrit. Adhuruesit e natyrës anë e mbanë botës, nuk duhet ta lënë këtë shteg pa e provuar! /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here