60 SHKOLLA TË MESME NË KOSOVË BËHEN ME QENDRA KREATIVE

60 shkolla në Kosovë janë bërë me qendra kreative, ndërkaq mbi 1000 nxënës janë trajnuar në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Ministria e Ekonomisë dhe kompania PBC kanë shënuar përmbylljen e projektit “Krijimi i qendrave kreative në shkollat e mesme të Kosovës”. Ky projekt kishte filluar të implementohet në vitin 2020, ku më pas ishte ndërprerë në kohën e pandemisë, ndërsa gjatë këtij viti kishte rifilluar.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj tha se zhvillimi ekonomik është një prej prioriteteve të qeverisë, ndërkohë që u zotua se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të përkrahet fusha e teknologjisë dhe informacionit në vend.

Ministria ka përkrahur dhe ka bërë furnizimin në shkolla të mesme me pajisje të teknologjisë dhe më pastaj ka vazhduar me përkrahjen e këtij projekti me emrin-“Krijimi i qendrave kreative në shkollat e mesme të Kosovës”. I cili është realizuar në rreth 60 shkolla përfituese. Nga ky projekt kanë dalur ide kreative të cilat shërbejnë si pikënisje për këta nxënës që në të ardhmen të vazhdojnë me karrierën e tyre më të sigurt dhe më të përgatitur profesionalisht. Që nga fillimi i implementimit të këtij projekti është parë entuziazmi dhe gatishmëria e madhe nga ndjekësit e këtij trajnimi në fushën e TIK-ut ku janë përfshirë edhe disa nga modulet aktuale në fushën e informacionit dhe komunikimit”, ka thënë Arifaj.

Për këtë projekt kanë qenë të trajnuar mbi 100 arsimtarë të TIK-ut. Kompania PBC ka implementuar këtë projekt duke trajnuar nxënësit në fushën e teknologjisë dhe informacionit.

Themeluesi i kësaj kompanie, Gazmend Selmani tha se trajnimi i nxënësve nuk ka qenë i lehtë, meqë këtë e ka sfiduar periudha e pandemisë.

Trajnimet për ne në PBC u shndërruan në një mundësi të veçante që lidhet me ekspertizën tonë, zhvillimet teknologjike dhe mundësitë e industrisë t’i bartin te ata që më së shumti i meritonin, për nxënësit dhe mësimdhënësit. Për ata që e shtuna jo vetëm se ishte ditë pune e ditë mësimi, por ishte edhe pistë dëshire e entuziazmi për t’u aftësuar në fushën e teknologjisë informative dhe të komunikimit. Të tillë ishin mbi 1000, ndërsa trajnuesit tanë nga një anë e Kosovës në anën tjetër, mirëmbanin e rrisnin dëshirën e nxënësve me mundësitë e industrisë për çka jemi shumë mirënjohës”, u shpreh ai.

Trajnuesja Rina Krasniqi derisa ka folur për organizimet e trajnimeve, ka thënë se kanë qenë 3 profesorë ku në këtë komunitet organizativ ishte edhe profesori, Blerim Rexha.

Ne së bashku shpjeguam trendet më të reja të teknologjisë së informacionit ku pamë se çfarë është teknologjia e informacionit dhe komunikimeve si dhe ndikimet e saj në shoqëri, cilat janë trendet më të reja në teknologjinë e informacionit, çka është intelegjenca artificiale. Tutje, ne kemi vazhduar për ndërmarrësi dhe informacion, ku nxënësit dhe arsimtarët e morën njoftimin për ndërmarrësi në aspektin lokal dhe global”, ka treguar ajo.

Kompania PBC ka ndarë mirënjohje për shkollat fituese për “Fehmi Lladrovci” që i është ndarë vendi i tretë. Vendi i dytë për shkollën “Junuz Zejnullahu”, ndërsa vendi i parë për shkollën “Gjin Gazulli”.