E drejta për një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt

Ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon të jetë alarmuese. Gazetarët vazhdojnë të na bombardojnë me informacione për nivelin e ndotjes së ajrit por shumë pak na ofrojnë informata për hapat që është duke i marrë qeveria për të na shpëtuar nga kjo situatë. Jo që s’duan, por thjesht nuk kanë informata më të detajuara.

Ministria e mjedisit na thotë “që gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik, e aq më pak në vendin tonë ku problemet janë të shtresuara e të trashëguara”. Tetëmbëdhjetë vite nuk ishin të mjaftueshme për të rregulluar gjendjen. Athua sa vite duhet të presim për të pasur një jetë normale në ketë vend? Si duket jemi ambientuar me çdo të keqe që na rrethon dhe nuk na lë më përshtypje asgjë. As ajri i ndotur i cili na vret ngadalë!

Përderisa të drejtat e njeriut që lidhen me mjedisin jetësor po marrin një vëmendje të madhe në botë, ne mbesim në pritje të një shkopi magjik i cili do të na i rregullojë të gjitha problemet. Nuk e dimë se është e drejtë themelore e jona për të pasur ajër të pastër, për të pirë ujë të pastër dhe për të ngrënë ushqim të sigurt!

Më duhet të theksoj se e drejta për një mjedis të shëndetshëm nuk gjendet në dokumentet e para të të drejtave të njeriut, siç është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948) dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (1966), ngase gjatë kohës kur këto dokumente ishin hartuar ndërgjegjësimi i shoqërisë për seriozitetin, ritmin dhe pasojat e dëmshme të degradimit mjedisor nuk ishte mjaft i avancuar. Si rezultat i kësaj mungon përfshirja e tyre në këto dokumente. Mirëpo, edhe pse dokumentet bazike të të drejtave të njeriut nuk i referohen një të drejte specifike për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, që nga viti 1972, një numër i konsiderueshëm i dokumenteve ndërkombëtare e potencon mbrojtjen e mjedisit si një element thelbësor të të drejtave të njeriut. Më konkretisht i shohin disa të drejta të njeriut si elemente thelbësore për arritjen e mbrojtjes së mjedisit, e të cilat kanë për qëllim kryesor mbrojtjen e shëndetit të njeriut.

Njohja e parë zyrtare e të drejtës për një mjedis të shëndetshëm erdhi në Deklaratën e Stokholmit, e cila doli nga eko-takimi i parë global në vitin 1972: “Njeriu ka të drejtën themelore të lirisë, barazisë dhe kushteve të përshtatshme të jetesës, në një mjedis të një cilësie që lejon një jetë dinjitoze dhe mirëqenie dhe ai mban një përgjegjësi solemne për të mbrojtur dhe përmirësuar mjedisin për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm”.

Të njëjtën qasje e kishte edhe Deklarata e Rios për Mjedisin dhe Zhvillimin, e miratuar në vitin 1992 në Konferencën e Rio de Janeiro. Këtu, mbi të gjitha u theksua se “mbrojtja e mjedisit duhet parë si pjesë përbërëse e çdo procesi të zhvillimit”.

Poashtu, gjatë dekadave të fundit një varg dokumentesh, udhëzimesh e deklaratash janë nxjerrë nga organizata dhe agjensi të ndryshme ndërkombëtare, të cilat përmbajnë thelbin e mbrojtjes së mjedisit, duke u nisur nga menaxhimi dhe transporti i mbeturinave, riciklimi, ndotja e ajrit ndërkufitar, mbrojtjen e ujërave nëntokësore, përdorimin racional të ujit etj. (Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) nxorri Kodin Ndërkombëtar për Shpërndarjen dhe Përdorimin e Pesticideve, e më pastaj Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik nxorri Udhëzime për Veprim për Reduktimin e Emetimeve të Oksideve të Squfurit) etj.

Për vite me radhë Kosova tenton të bëjë harmonizimin e legjislacionit mjedisor me legjislacionin e BE-së, duke synuar përmbushjen graduale të standardeve të BE-së dhe zbatimin efikas të tij. Kushtetuta e Kosovës në nenin 7 ndër të tjera njeh mbrojtjen e mjedisit si një nga parimet në të cilat bazohet rendi kushtetues i Kosovës. Ndërsa me nenin 52 përgjegjësinë për mbrojtjen e mjedisit, për natyrën dhe biodiversitetin, si dhe trashëgiminë kombëtare, ia kërkon secilit.
Për më tepër një sërë ligjesh janë miratuar për të siguruar një ambient të shëndetshëm dhe të sigurt. Për shembull Ligji për mbrojtjen e mjedisit (nr. 03/L-025), Ligji për vlerësimin e ndikimit mjedisor (nr. 03/L-024)Ligji për mbrojtjen e ajrit (nr. 2004/30), Ligji për menaxhimin e mbeturinave (nr. 02/L-30), e kështu më radhë.

Për fat të keq këto ligje (shumica e tyre të huazuara nga vendet e rajonit dhe me një përkthim plot mangësi gjuhësore) kanë mbetur si dekorim në uebfaqet e ministrive. Askush nuk tregon po askush nuk pyet çfarë ka ndodhur me implementimin e këtyre ligjeve. Çfarë është ndërmarrë për implementimin e ligjit për mbeturina? Çfarë është ndërmarrë lidhur me regjistrimin e makinave të vjetra të cilat as në garazha nuk do të duhej të lejohen e lëre më të qarkullojnë lirshëm? Çfarë është ndërmarrë lidhur me kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës? Cilat janë ato grupacione të dyshimta pas të cilave fshehen interesa finaciare siç janë shoqatat e naftëtarëve dhe grupacionet e lidhura me laboratore dhe trupa inspektuese private, të cilat interesin e cilesisë së naftës e kamuflojnë me interesa finaciare?

Sa po zbatohet Udhëzimi Administrativ 01/2017 i Ministrisë së Tregtisë më të cilin u kufizohen kompetencat trupave private në kontrollimin e cilësisë së naftës, kompetencë kjo të cilën e ushtruan më vite të tëra? Po dogana, e cila tani e ka barren e kontrollimit të naftës që hyn në Kosovë, si po ia del në krye kësaj pune? A është në plan të ndërtohet një laborator shtetëror i cili do të ofrojë analiza për të gjitha llojet e naftes, apo do të vazhdojë “bashkëpunimi” me laboratorët privatë, pronarë të të cilëve janë grupacionet e dyshimta?

Çfarë ka ndodhur me planin rreth ndërtimit të “Kosovës së Re”? Ku janë planifikuar ato zona të gjelbërta, ku e gjithë Prishtina është shndërruar në një copë betoni falë legalizimit të ndërtimeve të shëmtuara të cilat po na e zënë edhe dritën edhe frymëmarrjen? Këto ndërtime po marrin hov edhe në zonën e Gërmisë, i vetmi vend i cili ofron mundësi rekreacioni në natyrë. Autoritetet komunale nuk hezitojnë të lëshojnë leje të ndërtimit, qoftë edhe në dëm të shkatërrimit të zonave të gjelbruara të Prishtinës. A do t’i vijë radha edhe Parkut të qytetit?

Pak kush e ngrit zërin për këto probleme. Ndërgjegjësimi ynë për funksionimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen efikase të të drejtave të njeriut mbetet ende në shkallën më të ulët të zhvillimit.

Edhe një sfidim në mënyrë paqësore i politikave korruptive dhe autokratike vazhdon të portretizohet si nxitje e “jostabilitetit” dhe “shqetësuese” për rendin juridik. Ende nuk e kuptojmë se institucionet shtetërore kanë përgjegjësi primare për t’i mbrojtur, respektuar dhe zbatuar të drejtat e njeriut, ndërsa ne individet në vazhdimësi duhet të kërkojmë realizimin e të drejtave tona.

Mirëpo më duhet të theksoj se përveç obligimit pozitiv që i mvishet organeve shtetërore, mbrojtja e mjedisit dhe përmbushja e detyrimeve tona ndaj natyrës duhet të jetë përgjegjësi e të gjithëve, në të gjitha nivelet e shoqërisë. Pra, duhet të përfshijë të gjitha grupet sociale. Në këtë rast, shoqëria civile është një faktor i rëndësishëm i cili mund të monitorojë dhe mbajë qeverinë nën kontroll. Për shembull OJQ-të duhet të ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta përmes fushatave, protestave dhe proceseve gjyqësore mjedisore me interes publik.

Çerdhet e shkollat janë vendet për të nxitur edukimin mjedisor tek rinia jonë. Eshtë më se domosdoshme të futet edukimi mjedisor në kurrikulat formale, ku gjeneratat e reja do të mësojnë për pasojat e hudhjes së mbeturinave në rrugë, lumenj, shfrytëzimin e tepruar ujit, rëndësinë dhe përfitimin nga zonat e gjelbruara, për shkaqet dhe pasojat e ngrohjes globale etj.

Kësaj fushate do të duhej t’i bashkohen edhe përfaqësuesit fetarë, ku përmes predikimeve fetare do të inkurajonin mbrojtjen e mjedisit tek komunitet e tyre. Në këtë mënyrë do të hapeshin debate që lidhin librat fetare me çështjet mbi mjedisin dhe ekologjinë. Zaten religjioni dhe mjedisi janë të lidhura, sepse të gjitha religjionet promovojnë se ne (njerëzit) jemi kujdestarë që bartim përgjegjësi për botën dhe natyrën, dhe si të tillë i kemi borxh njëri-tjetrit për të punuar për një botë më të sigurt dhe më të besueshme për veten dhe fëmijët tanë.

Vetëm me zgjimin e vetëdijes, të ndërgjegjes dhe të një mobilizimi kolektiv, ne do të kuptojmë dhe do të fillojmë të vlerësojmë nevojën dhe drejtën për një ambient të pastër dhe të shëndetshëm.