Është promovuar Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës i punuar nga arkeologët Milot Berisha dhe Arben Hajdari.
Kryeministri Albin Kurti me këtë rast tha se ndonëse kanë kaluar 23 vjet një pjesë e artefakteve të Kosovës vazhdojnë të mbesin në muzetë e Beogradit, prandaj edhe ka kërkuar kthimin e tyre.
Sipas tij, Serbia ka shkatërruar monumentet kulturore, duke shtuar se shteti për mirëmbajtjen e kishave ortodokse ka bërë mjaftueshëm.
Madje ai thotë së xhamitë dhe kishat janë burim i identiteti e krenarisë. Kreu i Qeverisë u zotua se Qeveria ka vullnetin dhe dijen për të mbrojtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore.
“Trashëgimia është ndër burimet më të fuqishme. Ajo fuqizon lidhjen tonë me historinë dhe nxit përgjegjësinë ndaj gjeneratave pas nesh. Sipas përcaktimit ligjor potenciali i trashëgimisë përfshinë veçoritë materiale të historisë”.
“Sot po promovojmë një pjesë të rëndësishme. Ajo si e tillë ka vlera të çmueshme. Ekspozita arkeologjike dardania antike paraqet artefakte që datojnë nga epoka e neolitit. Ky thesar vazhdon të jetë i paplotë mbase pjesa më e rëndësishme gjenden në muzetë e Beogradit. Ndonëse kanë kaluar 23 vjet një pjesë e jona kulturore vazhdon të qëndrojë në Serbi”.
“Prandaj këtë çështje po e bartim në forume ndërkombëtare. Dhe kjo nuk është shkelja e vetme. Serbia vazhdonte të shkatërronte monumentet tona. Gjykatësit kanë konstatuar që këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme. Kërkesa jonë për drejtësi së shpejti do të marrë formë konkrete. Për kishat shteti ynë ka bërë shumë për restaurimin tyre”.
“Kosova ka një nga sistemet më të përparuara sa i përket mbrojtjes së komuniteteve. Xhamitë e kishat janë burim i identiteti e krenarie për shoqërinë tonë. Ne besojmë se rruga e dialogut të brendshëm është e duhura. Qeveria ka vullnetin dhe dijen për të mbrojtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore”.
Drejtori i Muzeut Ajet Leci ka thënë se katalogu ka rëndësi të madhe për historinë e Kosovës.
“Kemi eksponate që janë marrë nga pushtuesi serb dhe nuk janë kthyer në muze. Duke u bazuar në dokumente muzeu u ka bërë kërkesë institucioneve në Beograd t’i kthejnë të gjitha eksponatet e të cilat janë 1247 eksponate”.
Autori i librit, Arben Hajdari tha se me kolegun Milot Berisha me promovimin e këtij katalogu po e përmbushim një borxh.
“Ne synojmë të ofrojmë narracion të vlerave që përfaqësojnë këto eksponate. Sikundër që do të krijojmë një pranomë që ka kaluar Kosova”.