Kriza ekonomike që ka goditur Libanin ka shtyrë ushtrinë që të organizojë udhëtime me helikopter me pagesë në mënyrë që të vetëfinancohet.
Këtë vendim e kanë marrë për shkak që vendi po përballet me probleme financiare.
Koloneli Hassan Barakat tregoi se udhëtimi 15 minutësh me helikopterin ushtarak Robinson R44 kushton 150 dollarë, raporton Euronews.
Libani po vuan nga ajo që Banka Botërore e ka përshkruar si një nga depresionet më të thella në historinë moderne. Monedha ka humbur më shumë se 90% të vlerës së saj në më pak se dy vjet dhe më shumë se gjysma e popullsisë është zhytur në varfëri.
Komandanti i ushtrisë, gjeneral Joseph Aoun paralajmëroi muajin e kaluar se kriza e shkaktuar nga korrupsioni do të çonte në kolaps të të gjitha institucionet shtetërore përfshirë edhe ushtrinë, duke vënë në dukje se vlera e pagës mujore të një ushtari ishte 90 dollarë.