MITROVICË: HIDHEN POSHTË DYSHIMET PËR HELMIM NGA UJI

Dyshimet për helmimin e ujit në regjionin e Mitrovicës, që përfshinë komunat e Mitrovicës jug dhe veri, Skenderaj dhe Zvecan, janë krejtësisht të pasakta dhe të pavërteta, ndërsa qytetarët nuk kanë nevojë as edhe për shqetësimin më të vogël.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, menaxheri i Fabrikës së ujit në Shipol të Mitrovicës, Bahri Hamza.

Sipas tij, cilësia e ujit të pijshëm i plotëson standardet dhe parametrat tregojnë për ujë kvalitativ dhe cilësorë.

“Në mënyrë profesionale dhe argumentuese i hedhim poshtë të gjitha dyshimet rreth kontaminimit të ujit në Mitrovicë. Situata me ujë të pijshëm në regjionin e Mitrovicës është stabile. Cilësia e ujit i plotëson standardet dhe të gjithë parametrat korrespondojnë për ujë kualitativ dhe cilësorë. Kjo nënkupton se e gjithë sasia e ujit që trajtohet dhe del në distribuim i nënshtrohet procedurave të kontrollit”, ka thënë Hamza.

Ai shtoi se ka pasur raste në të kaluarën kur kanë qarkulluar thashetheme të tilla për ujin, por që më vonë është konstatuar se informacione të tilla kanë qenë të pavërteta dhe janë përdorur më shumë për të favorizuar Kompanitë private dhe bizneset që merren me ujë.

Hamza ka apeluar tek qytetarët që të mos kenë shqetësime rreth ujit të pijshëm sepse fabrika e ujit zbaton të gjitha masat e nevojshme të kontrollit të sigurisë.

Në anën tjetër, Luljeta Zhubi, u.d. drejtoreshës së spitalit në Mitrovicë, ka konfirmuar disa raste të pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore ditët e fundit, por që ka mohuar se këto raste kanë të bëjnë me helmim nga uji i pijshëm.

Bëhet fjalë më shumë për sëmundje sezonale, siç janë viroza, diarreja dhe të ngjashme dhe jo asesi helmim nga uji”, theksoi Zhubi.