Klinika e Neurologjisë e QKUK-së, në bashkëpunim me Shoqatën e Neurologjisë së Kosovës, ka shënuar ditën ndërkombëtare të trurit. Moto e Ditës së sivjetme është “Stop Multiple Sclerosis”, përkatësisht “Ndal Sklerozën Multiple”.
Ky aktivitet është bërë tradicional duke u shënuar që nga viti 2018, në shërbim të pacientëve me këshillim, ofrim të terapisë dhe mbështetjes së çdo anshme në tejkalimin e vështirësive që i sjellë kjo sëmundje.
Rreth 2.8 milionë njerëz në botë dhe mbi 500 persona në Kosovë vuajnë nga kjo sëmundje.
Në çdo pesë minuta, një person në botë e merr informatën nga mjeku për këtë sëmundje – diagnozën e cila e ndryshon ecurinë e deri atëhershme të jetës së tij/saj.
Nga fillimi i vitit 2000 pacientët kosovarë me sklerozë multiple janë mbuluar me terapi dhe, në 2 vitet e fundit në kuadër të Klinikës së Neurologjisë të QKUK-së funksionon njësia e veçantë e cila bën vlerësimin, përzgjedhjen, trajtimin dhe përcjelljen e pacientëve, varësisht nga stadi i sëmundjes së tyre.
Aktualisht, rreth 370 pacientë kosovarë me sklerozë multiple marrin terapi imunomodulatore, me 5 barna të ndryshme që i siguron Ministria e Shëndetësisë.
Marrë parasysh se deri në fillim të vitit 2020, vetëm 100 sish kanë qenë të mbuluar me terapi, përfshirja e trefishit në terapi gjatë vitit të fundit ka ardhur si pasojë e vetëdijesimit institucional, për sigurimin e terapisë dhe gatishmërisë së kolegjiumit të neurologëve, që përkundër vështirësive të kushteve pandemike, në mënyrë sa më të shpejtë të bëjë orientimin dhe vendosjen e pacientëve në terapinë afatgjatë imunomodulatore.
Ta ndalim Sklerozën Multiple!
Klinika e Neurologjisë, QKUK
Shoqata e Neurologjisë e Kosovë