Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që familja Biden i ka dhënë dritë Kosovës, teksa ka nderuar Beau Biden-in me Medalje të Nderit post-mortem.
Ajo tha që angazhimi i presidentit amerikan Joe Biden për ta bërë vendin e tij dhe botën më të mirë është i pakapërcyeshëm, teksa foli fjalë të mëdha për djalin e ndjerë të tij, Beau-në, i cili pas luftës në Kosovë kishte shërbyer në trajnimin e prokurorëve vendës.
“Para se të shikojmë video-mesazhin e Presidentit amerikan, do të doja t’i thosha disa fjalë për përshtypjen time për të ndjerin Beau Biden, duke e parafrazuar thënien e njohur se “njerëzit e mirë janë si qirinj, ata digjen për t’u dhënë dritë të tjerëve”, ka thënë Osmani në ceremoninë e sotme.
“Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë”.
“I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve. Në ditët tona më të errëta, e gjithë familja Biden u ka dhënë gjithashtu dritë njerëzve të Kosovës”.
Osmani më herët gjatë fjalimit vlerësoi punën e Beau Biden-it në Kosovë ku kishte punuar në themelimin e një sistemi dinjitoz gjyqësor.
“Janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette “Beau” Biden III (i treti), të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware”.
“Në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit”.
“Andaj, jam shumë e nderuar që sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tonë”.