​EDHE 10 QENDRA TË REJA TË KARRIERËS NË SHKOLLAT PROFESIONALE

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se në Kosovë do të jenë edhe 10 qendra të reja të karrierës në shkollat profesionale që do të lehtësojnë tranzicionin e nxënësve në tregun e punës.

Ajo ka nënshkruar sot marrëveshjen e mirëkuptimit me Helvetas Swiss Intercooperation Kosovo, për Projektin Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE).

“Duke rritur cilësinë në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional krijojmë edhe kuadrot më të nevojshme e kompetente për tregun e punës. Falënderuese ndaj Qeverisë Zvicerane si financuese e projektit, për mbështetjen që po i jep sektorit të arsimit në Kosovë, në krijimin e kuadrove të nevojshme për tregun e punës dhe rritjes së mundësisë së punësimit të të rinjve tanë. MASHTI do të punojë në koordinim më të gjithë donatorët dhe palët e interesit në standardizimin e modelit të qendrave të karrierës në IAAP si dhe do të zhvillojë legjislacionin sekondar për këto qendra”, thuhet në njoftim.