AGK: Qëndrojmë për respektim të Kodit Etik të Mediave

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se qëndrojnë për respektim të Kodit Etik të Mediave, duke bërë thirrje që gazetarët ta respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Kosovë, raporton Gazeta Express.

Ky reagim i AGK-së,vjen pasi një media online ka publikuar sot një audio-incizim, ku pretendohet se gazetari i portalit ‘Insajderi’ Visar Duriqi bisedon me një person të quajtur Halit Sahitaj i cili pyet gazetarin lidhur me shumën që duhet paguar në këmbim të publikimit të artikujve për persona të caktuar në këtë portal.

“Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre.AGK-ja e ka parasysh se kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve. AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila ë“`shtë shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi”, thuhet në reagimin e AGK-së.