Tre studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë stolisur me medalje në Olimpiadën Matematikë Ndërkombëtare për Studentë Universitar.

 

Pas suksesit të xhudistëve nga Kosova në Lojërat Olimpike në Tokio, medalje kane fituar edhe Arben Ajredini, Duart Nishefci e Andi Sejdiu, të tre studentë të vitit të tretë në UP, të cilët kanë fituar një Medalje të Artë, një Medalje të Argjendtë dhe një Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematikë.

Kryetar i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Armend Shabani ka thënë për Telegrafin se përgatitjet për këtë garë, ku Kosova merr pjesë tash e tri vite bëhen vazhdimisht.

Përgatitjet për gara të tilla janë të vazhdueshme. Mund të them që këta student merren me aktivitete garuese që nga shkolla e mesme, por me përgatitje intensive, me synim rezultatet në këtë garë, janë marrë që nga muaji mars”, u shpreh ai.

Shabani theksoi po ashtu se edhe në garat tjera, studentët nga Kosova kanë arritur të marrin çmime, por kjo është hera e parë që kanë arritur të fitojnë vendin e parë.

“Kjo është hera e tretë që studentët tanë marrin pjesë në këto gara. Edhe në dy garat e tjera kemi arritur çmime (të dytin dhe të treti), por kjo është hera e parë që marrim çmim të parë”, tha Shabani.

Studenti i Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Arben Ajredini ka fituar Çmim të Parë (Medalje të Artë).

Studenti i Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Duart Nishefci ka fituar Çmim të Dytë (Medalje të Argjendit).

Ndërsa, studenti tjetër i Departamentit të Matematikës, Andi Sejdiu ka fituar Çmim të Tretë (Medalje të Bronztë).

Sipas informacioneve të publikuara nga Shoqatat e Matematikanëve të Kosovës, IMC është ndër garat më të rëndësishme botërore të matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon Ekipin e Kosovës për suksesin e arritur dhe për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës në këtë olimpiadë prestigjioze! Shoqata e Matematikanëve të Kosovës falënderon udhëheqësit e ekipit të Kosovës: Armend Shabanin dhe Valmir Krasniqin për kontributin profesional të dhënë për ekipin e Kosovës në IMC 2021”, thuhet në njoftimin e tyre.