Konsumimi i 3 ose 4 filxhanëve kafe në ditë ul rrezikun e zhvillimit të diabetit tip 2, sugjerojnë shkencëtarët. Ata arritën në këtë përfundim pas një hulumtimi shkencor që iu është bërë 30 studimeve të mëparshme, ku janë përfshirë gati 1.2 milionë njerëz.
Studimi është drejtuar nga hulumtuesit shkencorë të Institutit për Kërkimet Shkencore të Kafes, që është themeluar në vitin 1990. Rezultatet e studimit u publikuan gjatë një takimi të realizuar në Berlin nga Shoqata Evropiane për Studimet mbi Diabetin. Shkencëtarët zbuluan se konsumi i 3 filxhanëve kafe ul rrezikun e zhvillimit të diabetit me 27%.
Drejtuesi i këtij studimi, Dr. Mattias Carlström, tregon se lidhja mes kafes dhe diabetit vlen për të dyja gjinitë, megjithatë efektet pozitive janë pak më të dukshme te gratë.
Shkencëtarët mendojnë se këto efekte vijnë si pasojë e substancave të kafes, si trigonelinë, kafestol, acid kafeik dhe acid klorogjenik, substanca këto shumë të rëndësishme për organizmin, dhe vetive anti-inflamatore dhe antioksiduese të kafes.