Ballina E spikatur KOK-U SHPËRBLEN KAMPIONET OLIMPIKE ME NGA 10 MIJË EURO

KOK-U SHPËRBLEN KAMPIONET OLIMPIKE ME NGA 10 MIJË EURO

Kampionet olimpike në xhudo Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova janë shpërblyer me nga 10 mijë euro secila për triumfet e tyre historike në Lojërat Olimpike të Tokios 2020, nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Krasniqi dhe Gjakova ia sollën Kosovës dy medalje të arta olimpike muajin e kaluar nga Japonia, duke e shkruar historinë e sportit të Kosovës.

Në një njoftim për media, KOK-u shkroi: “Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi, ka vendosur të shpërblejë kampionet olimpike, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, për suksesin e arritur në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Të dy medalistet e arta olimpike do të shpërblehen me nga 10 mijë euro”.

Përveç tyre, KOK-u e shpërbleu edhe trajnerin e tyre Driton Kuka me një shumë prej 5 mijë euro.

Po ashtu, Bordi Ekzekutiv vendosi që nëntë sportistët tjerë, pjesëmarrës në LO Tokio 2020, të shpërblehen me nga 500 euro.

Kosova i dërgoi 11 atletë në Lojërat Olimpike në Tokio, prej të cilëve gjashtë ishin me normë olimpike. Duke e parë numrin e atletëve pjesëmarrës, rezultati i Kosovës vlerësohet të jetë fantastik.