Shpesh duke ecur nëpër rrugët e Prishtinës shohim letra të ngjitura në hapësira të ndryshme, të cilat tregojnë se lokale e banesa lëshohen me qira. Ajo që na bie më shumë në sy është mënyra se si janë të shkruara këto njoftime.
Më poshtë mund t’i shihni tri fotografi, në të cilat shihet se një fjali me vetëm tri fjalë është shkruar në të tri rastet gabimisht. Në fotografinë e parë shohim se shkruan “Ipet lokali me qera”.
Në fotografinë e dytë shkruan “Jepim lokalin me qera”.
Ndërsa në fotografinë e tretë shkruan “Lokali ipet me qira”.
Mund të vërejmë se fjalët që janë shkruar në forma të ndryshme janë folja “jap” dhe emri “qira”.
Fillimisht le ta sqarojmë pse është shkruar gabimisht folja “jap”.
Zgjedhimi i foljes “jap” në kohën e tashme, forma veprore:
Unë jap Ne japim
Ti jep Ju jepni
Ai/ajo jep Ata/ato japin
Folja në formën veprore tregon një veprim që e kryen kryefjala dhe veprimi bie mbi një objekt tjetër (jo mbi kryefjalën):
Unë jap mësim në shkollë fillore.
Nga ky zgjedhim kuptojmë se në rastin kur në njoftim është shkruar “Jepim lokalin me qera”, folja do të duhej të ishte “japim”.
(Ne) Japim lokalin me qira.
Zgjedhimi i foljes “jap” në kohën e tashme, forma joveprore:
Unë jepem Ne jepemi
Ti jepesh Ju jepeni
Ai/ajo jepet Ata/ato jepen
Folja në formën joveprore tregon se veprimi i kryer nga kryefjala ose nga dikush tjetër bie mbi vetë kryefjalën e fjalisë:
Ai lahet në mëngjes.
Pra, për vetën e tretë, koha e tashme, forma e saktë e foljes “jap” në formën joveprore është “jepet”.
Thamë se edhe emri “qira” shkruhet shpesh “qera”.
Sipas fjalorëve që kam konsultuar, në gjuhën shqipe nuk ekziston fjala “qera”, kurse për fjalën “qira”, fjalori jep këtë shpjegim:
qirá,-ja f. sh. -(të) sasi parash që paguhet për një banesë, për një dyqan, për një mjet a për një mjedis tjetër, të cilin e marrim në përdorim: paguaj qiranë; qiraja mujore; shtëpi me qira; makinë me qira; e dha me qira.
Pra, nga sqarimet e dhëna arrijmë në përfundimin se forma e saktë është: LOKALI JEPET ME QIRA!
(Medina Mehmeti; Portali Shkollor)