Mëlçia ka aftësinë të veprojë si një filtër për trupin që pengon substancat më të rrezikshme të hyjnë në qarkullimin e gjakut. Ka aftësinë të “vetëpastrohet” por shpesh për shkak të stilit të jetesës dhe dietës jo të shëndetshme nuk e ndihmojmë mëlçinë të bëjë punën e saj.
Mëlçia mbingarkohet kur hamë sasi të tepërta ose konsumojmë ushqime të përpunuara ose të skuqura, kur pimë sasi të tepërta alkooli ose pije freskuese të gazuara dhe me sheqer. Por ka disa ushqime që promovojnë funksionin e mirë të mëlçisë por edhe të shëndetit të përgjithshëm të trupit.
Hudhra
Hudhra aktivizon disa enzima të mëlçisë që ndihmojnë në eliminimin e toksinave.
Hudhra përmban alicinë dhe selenium, këto dy përbërës e pastrojnë mëlçinë dhe e mbrojnë atë nga dëmet toksike dhe ulin kolesterolin.
Ekspertët rekomandojnë ngrënien e 2 deri në 3 thelbinjve hudhër çdo ditë.
Panxhari
Panxhari mbron mëlçinë duke i siguruar trupit antioksidantë, vitaminë A, vitaminë B6 dhe hekur. Pektina që përmban mendohet se ndihmon në eliminimin e toksinave të depozituara në mëlçi. Jo rastësisht, panxhari apo fasulja e kuqe, tradicionalisht përdoret për të “pastruar” mëlçinë dhe për të parandaluar një sërë sëmundjesh.
Brokoli
Falë përbërjes së pasur antioksidante por edhe për shkak të fibrave dhe klorofilit që përmban, ndihmon mëlçinë dhe trupin në tërësi për të hequr qafe substancat e dëmshme. Perimet si brokoli, lulelakra dhe lakra rrisin prodhimin e enzimave të mëlçisë që kontribuojnë në funksionimin e duhur të tretjes dhe largimin e toksinave nga trupi.
Spinaqi
Perimet me gjethe jeshile si spinaqi por edhe marulja dhe rukola janë shumë ushqyese. Falë përmbajtjes së lartë të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve të fuqishëm, ato kontribuojnë në eliminimin e substancave të rrezikshme nga trupi, duke përbërë një mekanizëm të fuqishëm mbrojtës për mëlçinë.