Qeveria e Kosovës një ditë më parë ka marrë vendim për lehtësimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të cilat hyjnë në fuqi nga data 31 maj.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar sot të plotë vendimin për lehtësimit e këtyre masave.
Lexoni më poshtë vendimin e plotë:
[Hyrjet dhe daljet e qytetarëve të huaj nga Republika e Kosovës]
Qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.
Përjashtime nga pika 2 bëjnë:
3.1. Nëse qytetari i huaj hyn në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 orëve përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orëve;
3.2. Qytetari i huaj që punon si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga Covid-19;
3.3. Qytetari i huaj që kalon nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orëve;
3.4. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre.
3.5. Personi që ka dëshmi për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.
3.6. Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik -IgG lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para mbërritjes.