Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i është bashkuar kampanjës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, për mbjelljen e një milion drunjve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas një njoftimi për media, Osmani, ka thënë se kjo kampanjë po realizohet me bashkimin e forcave të këtyre tri institucioneve.
“Gjersa po punojmë vazhdimisht për të siguruar një ringritje të qëndrueshme pas pandemisë e kemi të qartë që çfarëdo që do të ndërmarrim nuk mundemi kurrsesi ta bëjmë atë duke anashkaluar mbrojtjen e mjedisit, përkundrazi mbrojtja e mjedisit është prioriteti ynë i përbashkët. Prandaj i kemi bashkuar forcat për të filluar kampanjën nëpërmjet së cilës synojmë mbjelljen e një milion drunjve gjatë muajve në vijim”, ka thënë presidentja Osmani.
Siç thuhet në njoftim, edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë thirrje për t’u bashkëngjitur në këtë kampanjë për mbjelljen e një milion drunjve në gjithë Kosovën, krejt kjo me qëllim që vitin tjetër Dita Botërore e Mjedisit ta gjejë Kosovën me një ambient më të gjelbër.
Shpyllëzimi në vendin tonë ka arritur nivele shqetësuese e ndotja e ajrit mbetet një ndër problematikat kryesore ndër vite, prandaj të angazhohemi së bashku sot në mënyrë që e ardhmja të frymoj lirshëm nesër. Aktivitetet tona sociale e ekonomike t’i zhvillojmë në një mjedis më të shëndosh”, ka thënë ministri Faton Peci.
Në anën tjetër, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bën thirrje që të mbrohet mjedisi, pasi që në këtë mënyrë thotë se mbrohet edhe kombi. “Sfidat kemi të shumta e të përbashkëta, por besoj fuqishëm që nga sot po hapim një kapitull të ri të mentalitet qeverisës në vendin”, ka thënë ministri Aliu.
Ndryshe, kampanja për mbjelljen e 1 milion drunjve ka filluar sot dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Kjo kampanjë mbështetet nga Presidenca e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.