Për vite me radhë nivelit i gazit të dëmshëm dioksidi i azotit ka qenë në shumë qytete gjermane shumë më i lartë nga sa lejojnë vlerat maksimale të BE-së.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ) dënoi pas Francës edhe Gjermaninë, sepse për vite me radhë ka tejkaluar në mënyrë të konsiderueshme në shumë qytete vlerat maksimale të ndotjes së ajrit dioksid azoti (NO2).
Gjyqtarët në Luksemburg vendosën që Gjermania ka shkelur ligjin e BE-së, sepse vlerat maksimale janë kapërcyer “në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme” në 26 qytete nga viti 2010 deri në 2016.
Njëherë për një herë ky vendim nuk shoqërohet me ndëshkime ose sanksione. Por nuk përjashtohet mundësia që Gjermanisë t’i kërkohet të vendosë rregulla të reja, për shembull për përdorimin e automjeteve me naftë në zona të caktuara.
Kufizimet për koronën çuan në përmirësimin e ajrit
Nga viti 2019 cilësia e ajrit në qytetet gjermane është përmirësuar, ndër të tjera edhe për shkak të krizës së koronës. Sipas Ministrisë Federale të Mjedisit në vitin 2016 vlerat maksimale ishin tejkaluar ndjeshëm në 90 qytete. Por që atëherë vlerat kanë rënë çdo vit. Sipas informacioneve në vitin 2019 kishte ende 25 qytete me ndotje të tepërt të ajrit prej dioksidit të azotit kurse në vitin 2020 vetëm gjashtë qytete, përfshirë Mynihun dhe Hamburgun.
Kufiri maksimal mesatar vjetor i sasisë së dioksidit të azotit është 40 mikrogramë për metër kub ajër. Po ashtu ekziston edhe një limit që sasia brenda një ore nuk duhet t’i kalojë 200 mikrogramë, limit i cili nuk duhet të tejkalohet më shumë se 18 herë në vit.
Dioksidi i azotit vështirëson frymëmarrjen
Dioksidi i azotit shkaktohet kryesisht gjatë proceseve të djegies në motorë dhe furra për qymyr, naftë, gaz, dru dhe mbeturina. Ai shkakton irritime në sy dhe sipas Agjencisë Federale të Mjedisit dëmton drejtpërdrejt edhe mukozat në të gjithë traktin respirator.
Inflamacionet e shkaktuara në këtë mënyrë intensifikojnë më pas efektin irritues të ndotësve të tjerë të ajrit duke pasur si rezultat kollitje, bronkit, marrje fryme dhe në perspektivë afatgjatë më pas ato mund të çojë në sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe mushkërive. Dëmtimi i rrugëve të frymëmarrjes rrit gjithashtu rrezikun e alergjive. Prej rritjes së nivelit të dioksidit të azotit vuajnë veçanërisht njerëzit që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes. Po ashtu sikurse është vënë re kjo çon edhe në një rritje të vdekshmërisë.