Franca e ka hequr detyrimin për bartjen e maskave në ambiente të jashtme dhe ka shfuqizuar orën policore të zbatuar për më se tetë muaj, me një vendim të befasishëm të qeverisë për zbutjen e kufizimeve kundër koronavirusit.
Vendimi rreth bartjes së maskave do të hyjë në fuqi që nga enjtja, ndërsa ora policore do të hiqet duke nisur nga e diela. Kryeministri Jean Castex ka thënë se situata epidemiologjike në Francë është duke u përmirësuar shumë më shpejt sesa pritej dhe se francezët janë duke përjetuar “një kthim në jetën normale”. Megjithëkëtë, bartja e maskave do të vazhdojë të jetë e detyrueshme në vendet e mbushura me njerëz, si tregjet në rrugë dhe stadiumet. Franca gjatë javëve të fundit ka regjistruar mesatarisht nga 3 mijë e 900 raste pozitive me koronavirus në ditë. Deri më tani, rreth 58 për qind e popullsisë së rritur është imunizuar me së paku një dozë të vaksinës, ndërkaq të martën ka filluar edhe vaksinimi i fëmijëve të moshave 12-18 vjeç.