ABOTT PREMTON PËRKRAHJE PËR GJYKATËN KUSHTETUESE

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gresa Caka – Nimani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Në takim ndër të tjera u diskutua për punën dhe për funksionimin e Gjykatës pas largimit të dy gjyqtarëve kushtetues në qershor të këtij viti, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë funksionale të saj, si parakusht i domosdoshëm për mbrojtjen e kushtetutshmërisë në vend.

“Kryetarja Caka – Nimani vuri theksin edhe në rëndësinë e rritjes së transparencës në punë, në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe komunikimin më të mirë të Gjykatës me publikun, me ç’rast edhe shprehu mirënjohjen e saj për ndihmën që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga Gjykata Kushtetuese.

Ambasadori Abbott, pasi që i uroi suksese kryetares Caka – Nimani në përmbushjen e obligimeve në detyrën e saj të re, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit institucional të Gjykatës Kushtetuese dhe u zotua për vazhdimin e përkrahjes edhe në të ardhmen.