AKK: VITI I RI SHKOLLOR FILLON ME 1 SHTATOR, MË PREZENCË DHE ORAR TË PLOTË

Viti i ri shkollor në Kosovë do të fillojë me 1 shtator, me prezencë fizike, në shkollë dhe me orar të plotë, është konstatuar në një takim që është mbajtur të mërkurën të Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me drejtorët komunalë të Arsimit.

Në këtë takim, pjesëmarrëse ishte edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

“Në këtë takim, u konkludua se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e Komunave të Kosovës dhe Ministrisë në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator me prezencë fizike në shkollë dhe me orar të plotë. Ministrja Nagavci theksoi se rekomandimet e MSh dhe IKShPK, por edhe praktikat botërore, tregojnë se mësimi këtë vit shkollor po fillon me prezencë fizike në shkollë. Ajo i informoi Drejtorët Komunalë të Arsimit për përgatitjet që janë bërë nga ana e Ministrisë për fillimin e vitit shkollor”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ndërkohë, ministrja Nagavci ka thënë gjatë takimit se tashmë ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore dhe shumë shpejt DKA-të do të kenë edhe protokolet dhe Udhëzuesin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.

Ministrja Nagavci, po ashtu, iu bëri thirrje edhe mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, që të kujdesen maksimalisht, duke zbatuar masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK, në mënyrë që nxënësit të mos humbin edhe mëtutje në procesin mësimor.

Drejtori Ekzekutiv i Asosiacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Kolegjiumit për Arsim, Besim Avdimetaj theksuan se është lajm i mirë fillimi i vitit shkollor me prezencë në shkollë.

Ndërsa, Drejtorët e DKA-ve thanë se shkollat janë përgatitur për fillim të vitit shkollor, ndërsa sipas statistikave që ata paraqitën, mesatarja e personelit arsimor të vaksinuar me njërën dhe me të dy dozat e vaksinës është rreth 70 përqind deri më tani.