Andin Hoti ka bërë të ditur se do të udhëheqë Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur me forcë dhe njëkohësisht edhe udhëheqjen e delegacionit për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në kuadër të grupit punues.
“Këtë përgjegjësi institucionale, sa emocionale dhe të ndjeshme për shkak të plagës ende të hapur për fatin e më të dashurve tanë, e kam pranuar si detyrë mbi detyrat, që të jap maksimumin tim për shërimin e plagëve të secilit familjar në Kosovë për mungesën e familjarit të tyre tash e 22 vite”, ka shkruar Hoti.
Ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtar që të shtojnë presionin ndaj Serbisë, për hapjen e arkivave të luftës së fundit në Kosovë.
Postimi i plotë:
Të dashur familjarë të personave të zhdukur me forcë gjatë gjenocidit të fundit të ndodhur në Kosovë,
Të respektuara shoqata jo qeveritare që merren me çështjen e personave të zhdukur dhe shoqëri civile,
Të nderuar qytetar,
Siç mund të jeni tashmë në dijeni, unë kam pranuar përgjegjësinë ta udhëheqë Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur me forcë dhe njëkohësisht edhe udhëheqjen e Delegacionit për bisedime për çështjen e përsonave të zhdukur në kuadër të grupit punues.
Këtë përgjegjësi institucionale, sa emocionale dhe të ndjeshme për shkak të plagës ende të hapur për fatin e më të dashurve tanë, e kam pranuar si detyrë mbi detyrat, që të jap maksimumin tim për shërimin e plagëve të secilit familjar në Kosovë për mungesën e familjarit të tyre tash e 22 vite.
Duke e konsideruar të rëndësishëm dhe të domosdoshëm bashkëpunimin me secilin qytetar, ju falënderoj nga zemra të gjithë Juve për mesazhet e shumta të urimit e mbështetjes dhe për ofrimin e bashkëpunimit në këtë proces.
Rezultatet varen shumë uniteti ynë dhe kontributi i secilit prej nesh, prandaj dua t’i falënderoj sinqerisht edhe ish udhëheqësit e Komisionit si dhe të Delegacionit në kuadër të Grupit Punues për punën e tyre dhe ofrimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.
Ndër parimet e mia udhëheqëse është transparenca, prandaj duke u zotuar për këtë, shpresoj shumë në bashkëpunim të ngushtë me mediat në Kosovë.
I vetëdijshëm për pengesat në këtë proces dhe sfidën e dialogut me Serbinë, dëshiroj të falenderoj me këtë rast faktorët ndërkombëtarë që e kanë mbështetur në vazhdimësi Komisionin dhe Delegacionin në përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të zhdukur, si Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, atë të Mbretërisë së Bashkuar, të Zvicrës, Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (KNPZH), Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Zyrën e BE-së në Kosovë, EULEX-in dhe të gjithë të tjerët që kanë ofruar bashkëpunimin e tyre.
Në të njëjtën kohë iu bëj thirrje faktorëve ndërkombëtar që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave të luftës së fundit në Kosovë.
Adresa e vetme për çdo të zhdukur në Kosovë, është Qeveria e Serbisë, prandaj edhe adresa e vetme për zgjidhjen e kësaj çështje është po e njejta.
Refuzimi për zgjidhjen e fatit të përsonave të zhdukur me forcë në luftën në Kosovë, nënkupton edhe një krim tjetër që bëhet edhe sot, 22 vjet pas luftës, atë HUMAN.