ARGJENTINA TRIUMFON NDAJ BRAZILIT NË FINALE TË KUPËS SË AMERIKËS

Argjentina është kampionia e re e Copa Americas. Skuadra e udhëhequr nga kapiten Lionel Messi në fushë, ia doli të triumfojē me rezultatin minimal 1-0 ndaj Brazilit në finalen e luajtur në “Marakana” dhe të ngrejë për herë të 15 në histori trofeun e Copa Americas.

Vëmendja maksimale ishte te Lionel Messi për argjentinasit dhe Neymar për brazilianët, pasi dy yjet e futbollit kanë fituar shumë në nivel klubesh, por ende asgjë në nivel përfaqësueseje dhe kjo e bënte edhe më interesante përballjen finale të Copa America-s.

Sfida nisi e qetë për të dy skuadrat, që kaluan disa momente studimi të njëra-tjetrës, teksa shkëndija e parë në portë, ishte edhe ajo që vendosi fatin e takimit, pasi Angel Di Maria mori një pasim perfekt nga ana e De Paul dhe veproi mirë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Ederson.

Pjesa e parë përfundoi pa asnjë rast tjetër shënimi, ndërsa 45-minutëshi i dytë u ngrit në nivelin e pritshmërive të një finaleje, ndërsa në minutat 53 dhe 54, Richarlisson flirtoi me golin e barazimit. Sulmuesi brazilian dërgoi topin në rrjetë herën e parë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa një minutë më vonë, pa që gjuajtja e tij të ndalej nga një pritje fantastike e Emiliano Martinez.

Në 10 minutat e fundit ishte ish sulmuesi i Interit, Gabigol, ai që provoi të shmangë disfatën e Brazilit, por në dy tentativa në harkun e dy minutave, nuk ia doli të dërgojë topin në rrjetë, ndërsa më pas ishte radha e Ederson të tregojë aftësitë e tij si portier në një tentativë të Messit dhe një tjetër të De Paul.

Vërshëllima finale e arbitrit uruguaian Ostojich la në fuqi fitoren me rezultatin minimal 1-0 të Argjentinës, që ngriti lart për herë të 15 Copa America-n dhe bashkë me Uruguain, u bë skuadra që e ka fituar më shumë këtë kompeticion.

Ky ishte një triumf mjaft i rëndësishëm edhe për Lionel Messin, pasi barra e të mos fituarit ende asnjë trofe me Argjentinën, i peshonte jo pak 6 herë fituesit të Topit të Artë, i cili tani sheh palmaresin e tij të titujve edhe më të plotësuar.