Austria ndan 1 milion vaksina antiCOVID për Ballkanin Perëndimor

 

Në Vjenë të Austrisë ka përfunduar Samiti për Ballkanin Perëndimor, ku pjesëmarrës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz ka thënë se Ballkani Perëndimor do të ndihmohet me 1 milion vaksina antiCOVID-19, duke shtuar se “ne jemi të sigurt vetëm kur të gjitha vendet janë të sigurta”.

“Kancelari Federal Sebastian Kurz u premtoi krerëve të qeverive të Ballkanit Perëndimor një milion doza vaksinash nga kontingjenti austriak të premten. Këto do të dorëzohen në rajon gjatë verës, njoftoi Kurz në një konferencë shtypi me rastin e një takimi në Vjenë”.

Tema kryesore e këtij samiti ishte lufta e përbashkët kundër migrimit ilegal si dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor por edhe lufta ndaj pandemisë.

Ndryshe, pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Belinda Belluku nga Qeveria e Shqipërisë, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Zoran Tegeltija nga Bosnja dhe Hercegovina dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.