Kompania Blue Origin ka dërguar në hapësirë William Shatner-in me raketën e tyre New Shepard NS-18.
Aktori 90-vjeçar bëhet kështu personi më i vjetër që ka udhëtuar në hapësirë, duke thyer rekordin e vendosur nga 82-vjeçari Wally Funk, i cili ishte pjesë e ekuipazhit që u dërgua në hapësirë në korrik.
“Të gjithë në Tokë duhet ta shohin këtë”, u shpreh Shatner pasi u kthye në Tokë.
“Është e pabesueshme…shpresoj që të mos ta harroj kurrë. Shpresoj ta mbaj mend këtë që po ndjej tani. Është shumë më e madhe se unë dhe jeta ime”.
Nisja e raketës u vonua disa herë për shkak të motit me erë në bazën e Blue Origin në Teksasin Perëndimor, por më në fund anija kozmike mundi që të shkëputej nga toka në 9.50 të mëngjesit me orën lokale.