Edi Shukriu -arkeologja e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë

U lind në Prizren (1950). Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet në arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe doktoroi në Universitetin e Prishtinës (1990). Ishte Shkencëtare Vizitore në Universitetin e Harvardit (2002) dhe pjesë e Programit Ndërkombëtar të Shkrimit në Iowa City (2005). Themeloi Grupin e Arkeologëve të Rinj të UP (1986-1990), organizoi ekspedita arkeologjike dhe ekspozita tematike në Koleksionin Arkeologjik të Fakultetit Filozofik, siguroi pjesëmarrje të studentëve në hulumtime arkeologjike në Kosovë dhe jashtë, si dhe studimet në arkeologji jashtë vendit. Menaxhoi dhe udhëhoqi hulumtimet arkeologjike në Ulpianën (2006 – 2010), që ishte hulumtimi i parë i qytetit antik përmes Universitetit të Prishtinës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Hulumtimet u zhvilluan në kuadër të kurseve të Universitetit Veror të UP: Stratigraphic Method (2006), Numizmatics: Source and Heritage (2007), Epigraphy speaks (2008), Funeral Archaeology (2009), Archaeology and urbanism (2010), Everyday life in Dardania (2015).

Profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës (1979 -). Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore, të menaxhmit të saj dhe shfrytëzimit për zhvillime shoqërore dhe ekonomike. Ligjëron kurse në nivelin bazik në Universitetin e Prishtinës: Arkeologji, Histori e Lindjes së Lashtë, Histori e Greqisë dhe Romës (më parë Histori e Kohës së Vjetër), ndërsa në nivelin Master kursin Menaxhimi i Trashëgimisë Kulturore. Ishte kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (2009 – 2012) dhe punoi në Muzeun e Kosovës (1974 – 1979). Është shkrimtare dhe nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973).

Ishte një nga liderët për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës, diplomate në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (1991-1998); deputete e Kuvendit (1992 – 1998, 2002-2004) dhe Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës-UNMIK (2000 – 2001). Themeloi Forumin e Gruas të LDK-së (1990) dhe ishte kryetare e saj (1995 – 2000). Pas mbylljes së shkollave shqipe nga regjimi serb, nisi aksionin Çdo ditë – dy orë mësim, që më pas rezultoi me organizimin e mësimit në shtëpi private. Organizoi dhe udhëhoqi shumë demostrata të grave kundër regjimit serb. Bashkëthemeloi partinë reformatore Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK, 2004). Ishte e para që në fillim të vitit 2004 publikisht ngriti zërin kundër korrupcionit. U angazhua për pjesëmarrjen e gruas në nivelet e vendimmarrjes, në jetën publike dhe jetësimin e barazisë gjinore.

 

Ishte Shkencëtare Vizituese në Universitetin e Harvardit (2002), mori pjesë në International Writing Program të University of Iowa (2005), si dhe në takime ndërkombëtare, shkencore, politike dhe letrare: International Poetry Festival Voix Vive (Sete, Francë: 2010, 2015; 2010, El Jadida, Marok: 2013); Konferenca e 1rë ndërkombëtare mbi Tashëgiminë Kulturore (Prishtinë 2015); Albanians and Hungarians: Historical Similarities and Differences in Centuries, Eőtvős Loránd University (Budapest 2014); Кulturna Integracija i ustoicivost na Balkanite, МАНУ – БАН (Shkup 2014); Kulturno nasledje i albanska žena kroz povijest, Knjižnica Bogdana Ogrizovića (Zagreb 2012); Mir na Ballkanu? Balkan u očima spisateljica, PEN Centar Bosnje i Hercegovine (Sarajevo 2012); Third international Muhu Workshop, Central European University (2011); EU/CoE: Valletta Convention – Principle, Practices and Challenges (Artana 2010); Formazione in Scambio Italia / Kosovo per uno sviluppo in partnership (Rome 2009); Forum Tomiza (2008 – 2009); International Vilenica Festival (2007); Reconfiguring Prehistoric Figurines (Norwich 2006); Lensdown Conference (1999); Conference on Globalisation (Santiago de Compostela 1997); Food Summit (Roma 1996); Habitat II (Istanbul 1996); Women’s IV World Conference (Bejing 1995) etj.