Inaugurohet biblioteka personale e akademik Idriz Ajetit në bibliotekën “Fan S.Noli” në Gjilan

Në Bibliotekën e Komunës së Gjilanit “Fan S.Noli”, është inauguruar sot këndi i bibliotekës me libra, dorëshkrime, botime, revista, mirënjohje e arritje shkencore të akademik Idriz Ajeti, që nga ish studentët e tij, tash profesorë doktorē, dhe përfaqësuesit e institucioneve komunale, u cilësua si gjiganti i letërsisë, pendës, albanologjisë, studimit të gjuhës dhe mësuesit të madh shqiptar.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, tha se Idriz Ajeti i bën nder jo vetëm Gjilanit dhe Kosovës por gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë.

Akademik Idriz Ajeti, është një gjigant i cili i bën nder të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, por Gjilani është shumë krenar për këndin e librave të tij, që familja dhe vet akademik Ajeti, kishte përcaktuar që ato t’i jepen institucionit më të lartë të librit në nivel të regjionit të Gjilanit. Biblioteka e Gjilanit është e nderuar dhe ka përgjegjësi shtesë, që brenda vetes ka thesarin e madh të biblioteskës së akademik Ajetit. Sot Gjilani është më I pasur, sepse ka materialin shumë të çmuar të akademik Idriz Ajetit, për të cilin kanë shkruar dhe flasin akademitë më të mëdha botërore që nga Egjipti e deri në Paris, Vjenë, Romë, Athin e gjetiu”, tha mes tjerash ajo.

Ndërsa, prof. dr. Bahtijar Kryeziu, ish student i të gjitha niveleve akadamike të prof.dr.Idriz Ajetit, ka prezantuar biografinë e akademikut, i cili nën emocion të veçantë dhe me entuziazëm ka folur për të bëmat e pafundme që ka bërë gjatë jetës 102 vjeçare akademiku i të gjithë shqiptarëve.

Me fjalë rasti është paraqitur edhe prof. dr. Begzad Baliu, i cili ka thënë se është shumë krenar që sot po bëhet inaugurimi i këndit të akademik Idriz Ajetit në bibliotekën regjionale të Gjilanit.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Kadir Hysiun dhe drejtoresha për Kulturë Deniza Limani, kanë ndarë mirënjohje për familjen e akademik Idriz Ajeti, që e kanë dhuruar të gjithë bibliotekën e profesorit.

Në emër të familjes, Hasan Ismajli i ka përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe i ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme, derisa Komunës së Gjilanit i ka uruar këndin e Bibliotekës së akademik Idriz Ajetit, i cili e kishte shumë përzemër këtë qytet.

Akademik Idriz Ajeti gjatë jetës së tij 102 vjeçare, ka lënë për bibliotekën e Gjilanit mbi 4 mijë libra e dorëshkrime.