Basketbollistet e Kosovës i ka vizituar ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Ndihem e lumtur që jam në mesin tuaj. Me diçka që jam krenuar gjithmonë, si presidente dhe pas përfundimit të mandatit, është se, sportistët kanë qenë ambasadorët më të mirë të vendit në arenën ndërkombëtare. Ata kudo që kanë shkuar, kanë përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të mundshme. Linda (Shala) më tha se ju për herë të parë do të merrni pjesë në një garë ndërkombëtare, dhe kjo është një fitore në vete, pa marrë parasysh rezultatet në fushë. Ju jeni fitimtare. Nga zemra ju dëshiroj fat dhe suksese. Do të jem një lobuese e fuqishme e juaja pa marrë parasysh kudo që jeni”, është shprehur Jahjaga para zyrtarëve të lartë të FBK-së, stafit dhe lojtareve të Kosovës A. Nënkryetarja e FBK-së, Linda Shala ishte shumë e lumtur që ish-presidentja e Kosovës mbajti një fjalim shumë frymëzues.
“Ne kemi pasur nderin që kemi pasur presidenten e parë grua në Ballkan. Presidentja edhe pse ka përfunduar mandatin ka përkrahur fuqishëm rininë dhe gratë në të gjitha sferat e jetës. Ajo na ka nderuar me prezencën këtu. Rrugëtimi i saj gjatë jetës ka bërë që ajo të jetë Presidente e Kosovës, me punë dhe përkushtim. Kjo është edhe një frymëzim për ju”, ka thënë Shala. Edhe sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe anëtarja e Bordit të FBK-së, Teuta Abdullahu, ishin shumë të lumtura me vizitën e ish-presidentes së Kosovës, e cila është inspiruese për gratë dhe një shembull se, me punë mund të arrish gjëra të mëdha në jetë. Në fund, basketbollistja e Kosovës, Valbona Bytyqi i ka dhuruar një fanellë të Kosovës ish-presidentes Atifete Jahjaga.