Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se pavarësia që e kemi është kompromisi që është bërë dhe tani dialogu me Serbinë nuk është për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të bazohen në barazi dhe reciprocitet.
Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për raportet me Serbinë, potencoi katër qëndrime të rëndësishme për të ecur përpara.
Kurti: Marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën
“Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën, pra një marrëveshje e cila e ka vetëm njohjen nga Serbia por që nuk pasohet nga ulësja në OKB ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohjen nga Serbia mund të jetë marrëveshje por nuk mund të jetë përfundimtare. Marrëveshja është ligjërisht e obligueshme nga pikëpamja dhe bindja jonë, atëherë kur ajo e ka formën dhe përmbajtjen të një marrëveshje ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të konventës së Vjenës për ligjin mbi traktatet“, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha se po bëhen 23 vjet bisedime në mes Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma me ndërmjetësimin e BE-së, gjë që nuk duhet të vazhdohet pafundësisht.
Kurti: Dialogu nuk mund të vazhdojë pafundësisht, Pavarësia që e kemi është kompromis
“Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht por duhet ta dimë qysh në fillim se dialogu nuk janë për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohen në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellët. Pavarësia që e kemi është kompromis, pavarësinë nuk e kemi shpallur vitin e kaluar por para 13 vjetëve dhe 4 vjetët e para pavarësia e kishte Piter Feitin sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisarin brenda si kompromis që është dashur ta sjellë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së por që nuk ndodhi asnjëherë “, tha ai.
Sa i përket pandemisë, Kurti theksoi se mund ta mbajnë kokën lartë sepse nuk janë në gjendje ku nuk kishte vaksina si nuk janë në kohën kur qeveria gënjente qytetarët për nënshkrimin e kontratave.
Ai si të arritur përmendi numrin e vdekjes dhe të infektuarave që është dukshëm në rëne, duke shtuar se ka nis vaksinimi masiv dhe javën që vjen arrin edhe një kontingjent i vaksinave të kontraktuara, derisa u ndal edhe te agjencitë e pavarura dhe ndërmarrjet publike, ku tha se po punojnë në ç’kapjen e tyre.
Kurti: Po ndërrojmë anëtarët e bordeve në ndërmarrje, asnjë nuk është politik
“ Në dhjetëra borde e anëtarë të cilët po ndërrohen, asnjeri prej tyre nuk është politik apo anëtarë i lëvizjes, por janë të zgjedhur vetëm në aspektin profesional“, tha Kurti.
Kurti përmendi edhe vizitat që kanë bërë drejtuesit e shtetit jashtë vendit, si dhe delegacionet që vizituan Kosovën.
Kurti: Me ShBA-të kemi biseduar për blerjen e dronëve dhe armatimit për ushtrinë
“Jemi duke zhvilluar një partneritet më të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku së fundmi kemi biseduar me ta për një kontratë për blerjen e dronëve dhe armatimit të teknologjisë së fundit për ushtrinë e Kosovës “, tha Kurti.
Kurti u ndal edhe te zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, duke thënë se duhet punuar që t’i fitojnë zgjedhjet pa balotazh, pasi i kanë gjasat të fitojnë pothuajse në të gjitha komunat.
Ai njoftoi se në zgjedhje lokale do të bashkëpunojnë me listën “Guxo”, siç kanë bashkëpunuar edhe në zgjedhjet nacionale. Këtu tha se po kritikohen nga partitë tjera.
Kurti: Partitë mund të kenë rezultate më të mira kur t’i largojnë të korruptuarit
“Ju po e shihni se si po sulmohet lëvizja me luftë speciale shpifjesh e të pavërteta. Arsyeja është se duan që mos e përsëritin rezultatin e 14 shkurtit por ne duhet ta konfirmojmë fitoren tonë, ndërsa partive tjera duhet t’u japim mesazhin se do të mund të kenë rezultate më të mira vetëm kur t’i largojnë të korruptuarit nga mesi i tyre e të reformohen thellë “, tha ai.
Sipas Kurit, me qeverisjen e tij, eksportet janë rritur 66 përqind, krahasuar me vitin e kaluar por shtoi se perspektiva ekonomike lë për të dëshiruar. Kurse, rritja e buxhetit, theksoi se është mbi 7 përqind.