KRYEMINISTRI KURTI VIZITON SUHAREKËN PAS SHPËRTHIMIT TË ZJARREVE

Në disa lokacione në Komunën e Suharekës zjarri ka shpërthyer që disa ditë. Duke qenë Suhareka komuna më e goditur nga zjarret, sot me mëngjes kryeministri Albin Kurti ka shkuar për vizitë në këtë komunë.

Kurti pasi ka mbajtur një takim me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, së bashku me të kanë shkuar në fshatin Studençan për të parë nga afër gjendjen.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ftuar qytetarët të kenë kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe mjedisit.

Kjo ministri ka thënë se në kohën kur vendi po ballafaqohet me temperatura të larta, për fat të keq po shfaqet edhe një dukuri shqetësuese, me rrezikimin e jetës së njerëzve, pasoja ekonomike e dëme të mjedisit.

Është fjala për paraqitjen e zjarreve, që po shfaqen gjithandej në Kosovë, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, tokat pyjore, por edhe sipërfaqe tjera rurale e urbane”, thuhet në njoftim.

Ministria e Bujqësisë ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, shërbimin e zjarrfikësve dhe policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve dhe mobilizim në shuarjen e tyre.

Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.

Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër.