KURTI NUK NDRYSHON QËNDRIM PËR UJMANIN: ËSHTË I KOSOVËS PËR KOSOVËN

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur se qëndrimi i tij dhe i Qeverisë që udhëheq për liqenin e Ujmanit nuk ka ndryshuar, pra Serbia nuk mund të bëhet hisedare në të.

Kurti ka kundërshtuar shumicën e zotimeve të dhëna nga Qeveria Hoti në Washington më 4 shtator 2020 sa ishte në opozitë, e njëjtë thotë se nuk ka ndryshuar as tash që është kryeministër.

Qëndrimet tona sa i përket liqenit të Ujmanit janë po ato të njëjtat, natyrisht që mund të dalin analiza dhe studime, por që puna jonë është të konsiderojmë Ujmanin ashtu siç është, liqen artificial i Kosovës për Kosovën. Ne atë tashmë e kemi paguar. Sa i përket marrëveshjes së Washingtonit e kam thënë që pika më e rëndësishme është ajo e fundit që tashmë është realizuar (njohja nga Izraeli). Por nuk mund të flasim sikur nuk ka ndodhur 14 shkurti (2021), ndryshimi në Kosovë është gjigant. Këtë nuk e bënë ne, jemi pjesë e këtij ndryshimi”, ka thënë Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Para pak ditësh, SHBA-ja publikoi një raport për Ujmanin. Sipas zotimeve të Washingtonit, Ujmani është paraparë të shfrytëzohet nga Kosova, ku është pjesa më e madhe e tij, dhe Serbia.

Kurti ka folur edhe për dialogun, punësimin dhe luftën kundër korrupsionit, që sipas tij po ndodh çdo ditë.

“Sa i përket cilësimeve që vijnë nga Beogradi. Ata janë përpjekur të na definojnë qysh moti, mua nuk më kanë definuar, as nuk kam qenë i burgosur politik, peng lufte, nuk mund të ketë definime për mua sidomos tash kur jam edhe kryeministër. Por kur do të ketë marrëveshje me njohje të ndërsjellë, nuk varet nga ne. Ndërkohë që ju po e vëreni se prioritet yni është punësimi edhe drejtësia, menaxhimi i pandemisë. Kur na pyetni për dialogun edhe përgjigjemi, por votat e qytetarëve na kanë sjellë në këtë pikë për të punuar për Kosovën. Ne nuk e kemi të varur jetën nga njohja e Serbisë. Është mirë të na njohin, por nuk jemi të varur nga kjo”, ka shtuar Kurti.