KURTI PËR QOSJEN: VEPRA E TIJ ËSHTË E PA MOSHË, AKTUALE EDHE SOT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në akademinë solemne në shënim të 85- vjetorit të lindjes së akademikut Rexhep Qosja.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti i uroi profesorit Rexhep Qosja jetë të gjatë dhe krijimtari të vazhdueshme, duke i dëshiruar që çdo përvjetor i ardhshëm të shënohet me suksese të tjera dhe realizim të aspiratave të përbashkëta tonat.

Ai theksoi se vepra e Rexhep Qosjes është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, ’70-ta, ’80-ta, ’90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe.

Librat e Rexhep Qosjes dhe të shkrimtarëve dhe studiuesve të tjerë ngriheshin në duart e demonstruesve përballë shkopinjve dhe armëve të policisë dhe, siç na dëshmon historia e përbotshme, libri e pena janë kurdoherë fitimtarë,” tha Kryeministri Kurti.

Ai përgëzoi İnstitutin Albanologjik të Prishtinës dhe Kolegjin AAB, për nismën e qëlluar për shënimin e një përvjetori kaq të rëndësishëm sa edhe kuptimplotë e obligues për të gjithë neve.