Majlinda Kelmendi ka konfirmuar se gara në Lojërat Olimpike Tokio 2020 ishte e fundit në karrierën e saj të shquar në xhudo, duke u pensionuar në moshën 30-vjeçare.
Majlinda Kelmendi është pensionuar nga xhudo, duke i dhënë fund një karriere të bujshme si mbase atletja më e madhe shqiptare.
Kelmendi, e cila e kishte paralajmëruar pensionimin pas Tokios 2020 në fund të vitit të kaluar përmes trajnerit të vet Driton Kuka, tha se do t’i bashkohet atij në ekipin e trajnerëve për t’i ndihmuar të prodhojë më shumë talente në xhudo.
“Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. Ishte e shkruar, krejt i kam fituar. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit me u mundu me nxjerrë talente tjera prej Kosovës”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi do të mbahet mend si njëra prej atleteve më të mira shqiptare, grua apo burrë, dhe si sportistja e parë që ia siguroi Kosovës një medalje olimpike, pasi e shkroi historinë në Rio 2016 kur e fitoi medaljen e artë në xhudo në kategorinë 52 kilogramë.
Ajo do të largohet pas një karriere jashtëzakonisht të shquar, si kampione olimpike, kampione botërore (2 herë) dhe kampione kontinentale (4 herë).
Kelmendi i ka fituar 29 medalje të arta në gara të mëdha të xhudos gjatë karrierës, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.