MURATI: KOSOVA MUND TË MARRË KREDI DERI NË 62 MILIONË EURO NGA HUNGARIA

Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektligji për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar, ku vendi mund të marrë kredi deri në 62 milionë euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se janë bërë disa ndryshime në amandamentin e bashkëpunimit financiar të Qeverisë hungareze dhe asaj kosovare.

Ai ka thënë se shuma e kredisë që Hungaria ka ofruar për Kosovën është 62 milionë euro dhe është kërkuar që të zgjatet afati i kryerjes së pagesës.

Ka disa ndryshime që janë kërkuar nga ministria hungareze. Dhe po e riprocedojmë edhe njëherë këtë amandament. Të gjithë hapat ligjor janë ndjekë për negocimin e Marrëveshjes. Bëhet fjalë për një kredi të butë që Qeveria Hungareze i ka ofruar Qeverisë së Kosovës. I vetmi ndryshim është që të zgjatet afati i pagimit të kredisë”, është shprehur Murati.

Nënkryetari i Komisonit, Mergim Lushtaku ka kërkuar informim më të madh për një amendament që ka kosto prej 62 milionë dhe ka pyetur se për çfarë shpenzime do të shfrytëzohen këto.

Kurse, Murati ka thënë se kredia do të shpenzohet për projekte të cilat akoma nuk janë përcaktuar, por që mund të jenë si për impiante të ujit e për infrastrukturë.

Sa i përket projekteve nuk janë përcaktuar por mbetet të përcaktohen më vone. Ka pas fjalë për projekte për impiante uji e infrastrukture”, është përgjigjur Murati.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se kjo marrëveshje ka disa paqartësi.

Ndërsa, komisoni për Buxhet nuk e ka proceduar raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.

Nazim Rrahimi kryetar i Bordit të ARKEP-it, ka thënë se gjatë vitit 2020 buxheti i këtij institucioni ka qenë 1.6 milionë euro dhe se problematikë ka theksuar inkasimin e borxheve, veçuar këtu atë të Telekomit në vlerë prej 6.9 milionë euro.

“Buxheti i ARKEP-it për vitin 2020 ka qenë 1.6 milionë. Janë reduktuar shpenzimet kapitale. Buxheti është rishikuar dy herë radhazi. Përqindja e shpenzimit të buxhetit ka qenë në vlerën 97 për qind. Të hyrat vetanake kanë qenë rreth 4.2 milionë euro. Gjatë vitit 2020 ka pasur probleme në inkasonimin e disa borxheve si ato të Telekomit në vlerë prej 6.9 milionë”, është shprehur ai.

Ndërsa sfidë për këtë institucion sipas Rrahimit mbetet mungesa e stafit dhe pagat e ulta.

Konsiderojmë që kemi disa sfida si numër i vogël i punëtorëve profesionist ku kemi staf të vogël prej 34 zyrtarëve. Është kërkesë imediate që të shtohet ky numër në mënyrë që menaxhimi i institucionit të jetë më efikas. Sfidë është edhe çështja e pagës”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka treguar se nga Zyra e Auditimit nuk ka pasur asnjë gjetje dhe se pasqyrat financiare prezantohen të drejta dhe të vërteta.

Ndërsa, kryetari i komisionit, Armend Muja ka thënë se është e papranueshme që institucionit publik t’i ketë borxh institucionit tjetër publik si rasti i RTK-së ndaj ARKEP-it.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se është shqetësuese niveli i lartë i mosinkasimit të të hyrave.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka pyetur se si do t’u qasen atyre që kanë borxhe ndaj tyre si ai i Telekomit.

“Telekomi është në krizën më të madhe të mundshme. Ose Qeveria duhet të kryem këto borxhe ose ju do të shkoni drejt falimentimit”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i sapo emëruar i Bordit të ARKEP-it, Rrahimi ka thënë se kanë 10 milionë euro borxh të akulumuar.