Plisi është kapelja autoktone që i ka përcjellë shqiptarët që nga kohët pellazgo-ilire e gjerë në ditët tona.
Plisi, apo siç njihet në popull edhe me emra të tjerë: qeleshe, kësulë, qylah, qylaf, është quajtur kështu varësisht prej regjioneve shqiptare.
Së bashku me gjuhën dhe traditat tona, plisi është simbol i identitetit kombëtar shqiptar të cilin shqiptarët e kanë ruajtur me xhelozi e krenari këtë simbol.
Përdorimi i Plisit ka qenë i domosdoshme për të gjithë meshkujt duke filluar nga mosha e hershme e djalërisë madje ata që nuk e përdornin plisin u quanin njerëz pa vlerë.
“Plisi përpara ka qenë një rekuizitë e domosdoshme për çdo mashkull presh moshës rinore deri në shkuarjen nga kjo jetë. Njeriu kur ka dalë pa plis në kokë ka qenë i turpëruar…Njeriu për të pasur dinjitet është dashur të ketë plisin në kokë”, tregon më tej Muhamet Rugova.
Plisi e mori emrin kështu nga se krijohet prej leshit të deleve të bardha, në forma të ndryshme që bëjnë pjesë në veshjen tradicionale shqiptare.
“Karakteristike ka qenë që në Rrafshin e Dukagjinit dhe Shqipërinë veriore janë përdorur plis të rrumbullakët. Nga Dibra dhe Tirana nga lartë kanë qenë të rrafshuar. Ndërsa në Shqipërinë e jugut kanë qenë pak më të zgjatur dhe me një maje lartë që edhe sot i mbajnë në ansamble. Kryesisht kanë qenë nga leshi I dhenve”, vazhdon më tej historian.
Plisi I Shqiptarëve të veriut ka formën e rrumbullakët, pa ndonjë shtesë tjetër, një të tillë po e bënë edhe Afrim Lata, qeleshepunues mbi 45 vite të trashëguar nga i ati.
“Këtë profesion e ushtroj mbi 45 vite. E kemi trashëgim nga babai bashkë me vëllezërit, por tashmë jemi shpërndarë dhe unë kam mbetur i vetëm në këtë zeje”, thotë Afrim Lata.
Ai thotë se përkundër faktit që ka mbetur i vetëm do ta punojë këtë zanat deri në vdekje edhe pse procedura e punimit të një plisi është e gjatë.
“Është i vështirë si zanat pasi i ka 16 operacione. Duhet të punohet në mënyrë zinxhirore nga dy, tre apo katër persona. Ta punosh vetëm është shumë vështirë por unë po mundohem ta mbajë me mundësitë e mia derisa të jem gjallë”, rrëfen Afrim Lata.
Plisi përveç përdorimit praktik: mbrojtja nga të ftohtit, shiut e diellit të fortë, plisi simbolizon, shpreh krenarinë kombëtare, qëndresën, mosnënshtrimin ndaj pushtuesve të shumtë, pastërtinë morale, ndershmërinë e popullit tonë.
Plisi është nga ato simbole që e identifikon shqiptarin në një turmë njerëzish që nga largësia, ende pa pasur mundësi që ta këmbesh një fjalë me të.