QEVERIA: JEMI NË KOMUNIKIM ME SHBA-TË, GJITHÇKA DO TË PËRMBYLLET MIRË

Qeveria e Kosovës është në komunikim me autoritetet amerikane për të strehuar afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Në një përgjigje me shkrim nga Qeveria thanë se çështjen po e trajtojnë me kujdes dhe gjithçka do të përmbyllet mirë.

Qeveria thotë se për këtë çështje janë në komunikim me ShBA-të që nga mesi i muajit korrik, duke theksuar se ShBA mbetet aleati kryesor i shtetit tonë.

“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. ShBA-të janë aleati kryesor dhe partneri jonë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, ka konfirmuar për Gazetën Express, Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit Albin Kurti.