RRETH 8 MIJË MATURANTË APLIKOJNË NË UP, MJEKËSIA MË E PREFERUARA

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbyllur konkursin për pranimin e studentëve në 14 fakultetet e saj. Numri i aplikantëve sillet rreth 8 mijë, teksa mjekësia mbetet më e preferuara.

739 vende janë të rezervuara për studentët nga Lugina e Preshevës, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Prorektor-ja e Universitetit të Prishtinës, Mimoza Ibrani, në një prononcim për KosovaPress tregon që interesimi më i madh i maturantëve për të studiuar është fakulteti i mjekësisë, ku gjashtë studentë “luftojnë” për një indeks.

Ndërsa vazhdon psikologjia, edukimi fillor, për të vazhduar me gjuhën angleze dhe asaj gjermane, shkenca kompjuterike dhe softuerike.

“Në fazën e parë të aplikimit online që është mbyll me datën 24 gusht, rezulton që interesimi më i madh është për të studiuar në fakultetin e mjekësisë, përkatësisht në programin mjekësi e përgjithshme, ku kemi gjashtë aplikantë për një vend të lirë studimi. Pastaj vinë edhe programet e tjera në fakultet e tjera, në fakultetin filozofik kemi programin e psikologjisë, në fakultetin e edukimit programin e edukimit fillor, në filologji programin e gjuhës angleze dhe gjuhën gjermane, programin shkenca kompjuterike dhe softuerike, pastaj kemi edhe programet tjera ku kemi tre ose katër aplikantë për një vend studimi. Gjithsejtë 7741 aplikantë”, tregon ajo.

Ajo thekson se në fazën e parë të aplikimit nuk ka pasur ndonjë parregullsi, teksa shton se janë duke u bërë përgatitjet për fillimin e viti të ri akademik.

“Ende nuk kemi vendim për arsimin e lartë, ne jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet që viti i ri akademik të fillojë me prezencë fizike, por e gjithë kjo varet prej vendimit të institucioneve gjegjëse përkatësisht vendimit të qeverisë dhe rekomandimit të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik”, deklaron ajo.

Nga data 25 gusht do të vazhdojë dorëzimi i dokumenteve në prezencë fizike në fakultetet përkatëse.