Shqipëria është zyrtarisht anëtare e Këshillit të Sigurimit për dy vitet e ardhshme pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Në vitin 1995, Shqipëria nuk mundi të merrte një mandat 2-vjeçar, siç u përpoq kësaj here. Vendi ynë nuk kishte rival në këtë garë, pasi ishte propozimi i vetëm i vendeve të Evropës Lindore.
Për sa i përket përfitimeve, Shqipëria do të ketë një prestigj të jashtëzakonshëm, në tryezën e Këshillit të Sigurisë, ku ulen fuqitë më të mëdha të botës.
Për sa i përket ndikimit që do të ketë për Kosovën kjo ngjarje e rëndësishme, Shqipëria mund të ndihmojë sa herë që asaj do t’i duhet të ngrejë çështje të caktuara në Këshillin e Sigurimit dhe në OKB. Një dritë jeshile për Shqipërinë do të ketë benefite të padiskutueshme edhe për Kosovën.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione. Mandati i anëtarëve të rinj fillon në 1 janar.