THIRRET PROTESTË PAS VRASJES SË 18-VJEÇARES NË FERIZAJ

Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur protestë pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

Në thirrjen e protestës nga kjo qendër thuhet se ky rast i femicidit, është përveç që është duke e shpërfaqur mendësinë dhunuese patriarkale, është tregues i dështimit institucional për ta trajtuar sigurinë e grave me prioritet.

Të mllefosura/ur nga ky rast dhe realiteti i frikshëm në të cilin jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, ne do të protestojmë nesër pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë, si revoltë ndaj dhunës dhe femicidit në Kosovë dhe dështimit institucional. Ky rast, sikundër rastet e mëhershme të vrasjes së grave, nuk është rast i izoluar. Ky rast është veç shpërfaqje e mendësisë dhe praktikave patriarkale dhunuese të cilat po ushqehen nga të gjitha institucionet private e publike në Kosovë, për çka ne do të mlidhemi e të kundërshtojmë. Dhuna me bazë gjinore dhe vrasja e grave janë shqetësim për sigurinë dhe shëndetin publik në Kosovë dhe si të tilla kërkojnë vëmendjen e duhur institucionale”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se kërkesat e protestës janë: Adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit për të cilën votuan të gjithë deputetët tanë, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat, dhe trajtim të drejtë të dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu protesta është paralajmëruar edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës përballë stacionit policor në Ferizaj.

Sipas saj ishte kjo vrasje që nxiti këtë reagim por edhe rritja e rasteve të dhunës në familje në tre muajt e fundit.