TURQIA E VAZHDON MBËSHTETJEN NË FUSHËN E EKONOMISË PËR KOSOVËN

Turqia do ta vazhdojë mbështetjen e Kosovës në fushën e ekonomisë. Kjo u bë e ditur sot në takimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit dhe ambasadorit të Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Në njoftimin e MF-së thuhet se Murati dhe Sakar u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Murati e njoftoi ambasadorin për prioritetet e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të cilat dalin nga Programi i Qeverisë Kurti, për situatën Makro-Fiskale në vend, për hapat e ardhshëm në tejkalimin e gjendjes se rënduar ekonomike si pasojë e Covid–19 si dhe për adresimin e sfidave për rritjen ekonomike dhe fuqizimin e sektorit privat si bartës i punësimit dhe zhvillimit ekonomik në vend.

Ndërsa Sakar e falënderoi Muratin për pritjen dhe shprehi gatishmërinë e tij dhe të shtetit të Turqisë për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe miqësore ndërmjet dy vendeve përmes rritjes së investimeve të huaja direkte të Turqisë në Kosovë dhe mbështetjes potenciale nga ana e shteti turk në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.