Në zonën ndërkufitare Kosovë- Shqipëri, organizuar nga organizata vullnetare për mbrojtjen e ambientit me mbështetjen nga ministritë respektive të infrastrukturës dhe ministrive të mbrojtjes së dy vendeve, u realizua programi i përbashkët i pastrimit në zonën e Liqenit të Fierzës.
Programit të sotëm, krahas, vullnetarëve nga organizatat përkatëse së bashku me kontingjentet e forcave ushtarake të dy vendeve, iu bashkuan edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, ministrja e INT-së, Rozeta Hajdari, zv.ministrja e MPHI-së, Linda Çavdërbasha, si dhe homologët nga Qeveria dhe FA të Republikës së Shqipërisë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallendyshe Bici.
Me këtë rast, në adresimin e tij para pjesëmarrësve në program, ministri Mehaj tha se me këtë aksion, dëshmohet se vullneti ynë është vullnet për të pastërtën, të bukurën, të natyrshmen që i duhet jo vetëm popullit tonë në dy shtetet, por të gjithë popujve dhe të gjithë njerëzimit.
Gjithashtu, ai tha se “ushtria përveç që është gjithmonë e gatshme të përballet me kërcënime dhe rreziqe të karakterit ushtarak, ajo është e gatshme dhe çdo çast në veprim për të parandaluar dhe evituar fatkeqësitë dhe katastrofat natyrore dhe ato të shkaktuara nga faktori njeri”.
Aksioni u realizuar me sukses dhe nga të gjithë pjesëmarrësit u vlerësua se programe të ngjashme të organizohen edhe në të ardhmen.