Vermoshi është pjesë e Njësisë Administrative Kelmend, brenda kufirit të Parkut të Alpeve dhe aksesohet nëpërmjet Tamarës me rrugë automobilistike.
Ky fshat karakterizohet nga arkitektura tipike e malësisë së Kelmendit. Banesat janë të shpërndara dhe aktualisht nuk ka një qendër të konsoliduar të vendbanimeve. Në lokalitet gjenden pasuri natyrore, si dhe gjurmë të ngjarjeve historike.
Ruajtja e vlerave natyrore dhe kulturore është primare për këtë zonë. Zona ka vlera të larta mjedisore dhe ndërhyrjet duhet të jenë të mirë orientuara në mbrojtjen e tyre.
Fshati i Vermoshit është i ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Limit. Ai është një luginë me origjinë akullnajore, e vendosur në lartësinë 1100 metra mbi nivelin e detit.
Në të dyja anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe haloret. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit./Motilokal.com