​Nagavci: Të rinjve tanë t’iu ofrohet arsim sa më cilësor

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka deklaruar se në arsimin e lartë po zhvillohen projekte të rëndësishme të mbështetura nga partnerët zhvillimorë dhe donatorët, me qëllim të fuqizimit më të mëtejmë të këtij sektori të rëndësishëm.

“Në një takim virtual të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, partnerët zhvillimorë, përfaqësues të ambasadave, organizata e ndërkombëtare dhe donatorët treguan për projektet që i financojnë për zhvillimin e arsimit të lartë, ofrimin e bursave për studentët e Kosovës, mobilitetet, afrimin e arsimit të lartë me tregun e punës, por edhe qasjen dhe shfrytëzimin e fondeve dhe programeve ndërkombëtare të shkencës”, shkruan Nagavci në Facebook.

Ajo me këtë rast theksoi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit duke bashkërenduar aktivitetet, në mënyrë që të ketë një ngritje të cilësisë në arsimin e lartë.

“Sfidat dhe vështirësitë që e kanë përcjellë arsimin përgjatë pandemisë, kanë ndikuar edhe në realizimin e projekteve të mëdha të mbështetura nga partnerët zhvillimorë. Bashkëpunimi shton mundësitë edhe në realizimin e programit qeverisës për arsimin, sidomos për arsimin e lartë, në mënyrë që të rinjve tanë t’iu ofrohet arsim sa më cilësor”, ka thënë ministrja Nagavci.