OAK NË BASHKËPUNIM ME USAID, PARAQESIN PROJEKTIN PËR DREJTËSI NË KOSOVË

Diskutimi rreth Projektit të USAID për Drejtësinë në Kosovë, përmirësimi i cilësisë dhe qasjes në shërbimet e drejtësisë, përmirësimi i të kuptuarit qytetarë.

Po ashtu edhe angazhimi dhe besimi në sistemin e drejtësisë, paraqitja e propozimeve konkrete për ndryshimet që duhet bërë në drejtësi nga ana e bizneseve si dhe zhvillimi i inovacionit efektiv në sektorin e drejtësisë, ishin disa nga çështjet kryesore të cilat u trajtuan në kuadër të takimit të përbashkët me bizneset anëtare të organizuar nga Oda e Afarizimit të Kosovës në bashkëpunim me USAID.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të informoj komunitetin e biznesit të marrë pjesë aktive në bërjen e një ndryshimi pozitiv në sistemin e drejtësisë në Kosovë, përmes inovacioneve dhe kreativitetit, ku të pranishmit kishin mundësinë që të ndajnë edhe eksperiencat e tyre gjithashtu.

Në komunikatën për media nga OAK thuhet se projekti i Drejtësisë është program i cili synon të forcoj sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke aplikuar një qasje të drejtësisë të përqendruar tek njerëzit për të përmirësuar kapacitetin institucional që t’u siguroj qytetarëve qasje në shërbime cilësore dhe mjete të shumëfishta për të zgjidhur problemet e tyre të drejtësisë dhe çështjet ligjore të përditshme me të cilat këta të fundit ballafaqohen. Kjo me qëllimin e vetëm për të gjeneruar besim më të madh të publikut, në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit në vend.

Gjithashtu gjatë këtij sesioni, u prezantuan edhe garat e ardhshme të inovacionit në drejtësi, si dhe mundësitë që komuniteti i biznesit të marrë pjesë në gara dhe të bëhet pjesë e ndryshimeve pozitive në sistemin e drejtësisë, përmes katër raundeve të konkurseve të teknologjisë së lartë (high-tech) dhe teknologjisë së ulët (low-tech).

Ky projekt është i implementuar nga USAID dhe do të jetë në kohëzgjatje deri në Gushtin e vitit 2025.