Gratë shqiptaro-amerikane bashkojnë forcat për të ndërtuar bizneset e tyre

Sfidat që solli pandemia COVID-19 frymëzuan disa gra shqiptaro-amerikane që të bashkojnë forcat për të ndihmuar njëra-tjetrën të ndërtojnë bizneset e tyre dhe një karrierë të suksesshme, pa lënë mënjanë kujdesin për familjen ose punën me orarë të plotë.

Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me themeluesen e lëvizjes për nënat sipërmarrëse të quajtur Mompreneur dhe njërën nga pjesëmarrëset në këtë nismë.

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 shumë gra humbën vendet e punës.

Mes tyre ishin shumë nëna që u detyruan të heqin dorë nga karriera në mënyrë që të kujdesen për fëmijët.

Duke e parë situatën e krijuar, shqiptaro-amerikania Ledi Vokshi, nënë e dy fëmijëve, filloi një lëvizje për të ndihmuar nënat të ndërtojnë bizneset e tyre dhe të punojnë nga shtëpia.

Përveç kësj nisme, zonja Vokshi është partnere në një kompani për teknologji informative dhe drejtuese e një fondacioni që ndihmon fëmijët e abuzuar seksualisht në Shqipëri.

Ajo motivon gratë e tjera duke ofruar shembullin dhe praktikat e saj, ndërsa thotë se fëmijët nuk të pengojnë në rrugëtimin drejt sipërmarrjes.

Klientet e mi kanë një punë me orar të plotë. Shkojnë në punë në mëngjes dhe kthehen pasdite, ndërkohë kanë dhe biznesin e tyre, derisa të forcohen që të mos punojnë për dikë tjetër. Orarin e gjeni kur e shihni pastër rutinën e ditës. Atëherë mund të thuash në këtë orë fëmija im fle gjumë, për shembull dy orë pasdite. Në atë orë mos më thuaj se do të flesh gjumë dhe ti sepse s’ka nënë në botë që fle kur fëmija flenë. Ato janë thjeshtë përralla të rrjeteve sociale. Nëna nuk fle kur fëmijët flenë. Nëna pastron, nëna gatuan dhe qartëson çdo hall të botës. Në ato orare që fëmija është në gjumë dhe ti je zgjuar, çdo njeri ka enë për të larë dhe punë për të bërë. Mund të gjesh kohë për veten. Për të punuar dhe ndërtuar veten më të fortë”, thotë për Zërin e Amerikës sipërrmarrësja Ledi Vokshi.

Lëvizja e quajtur Mompreneur është një grup trajnimi ku nënat nga vende të ndryshme krijojnë një rrjet bashkëpunimi dhe ashtu të bashkuara tejkalojnë çdo sfidë që u shfaqet.

Ka dhe nëna të tjera aty, nuk duken të vetmuara pra nuk janë vetëm. Dhe nëse nuk është Ledi 24 orë, 7 ditë të javës për t’i kthyer përgjigje momentalisht, ka një nënë tjetër që i thotë hej edhe unë e provova mua nuk më funksionoi hjerën e parë por herën e dytë“, thotë themeluesja e lëvizjes.

Sipas grupit për nënat sipërmarrëse përkrahja e bashkëshortit është e rëndësishme, por gratë nuk duhet të dorëzohen edhe kur mbështetja e partnerit mungon.

Zonja Vokshi thotë se gratë nuk duhet të mjaftohen me sukseset e bashkëshortëve të tyre.

Shumë nga ne kemi qëndruar zgjuar natën dhe kemi thënë duam të bëjmë diçka për veten. Burri im është i suksesshëm. Suksesi i tij është suksesi i tij, nuk është suksesi im. Suksesi im është suksesi im. Ajo është arsyeja që më bën të zgjohem në dy të mëngjesit, tre të mëngjesit, katër të mëngjesit. Nuk ka rëndësi”, përfundon zonja Vokshi.

Ina Qena, pjesëmarrëse në këtë nismë, është nënë e dy fëmijëve, punon si terapiste ndërsa tani po krijon biznesin e saj online që është një kurs për vetëbesimin.

Biznesi i ndihmon të gjitha femrat që të ndërtojnë vetëbesimin, të gjejnë veten, të bëhen më të pavarura për veten e tyre dhe të krijojnë atë vlerën për veten, pavarësisht se ato mund të jenë nëna, të angazhuara, mund të jenë grua në shtëpi, motër ose çfarëdo llojë roli. Është koha që të bëjnë diçka për veten e tyre, është koha që të kenë atë lirinë e vetë. Pra të kenë pavarësinë e vet nëpërmjet lekut”, tha për Zërin e Amerikës, terapistja Ina Qema.

Zonja Qema kishte ardhur në ShBA para 11 vitesh me një ëndërr për të pasur një jetë të suksesshme. Këtë synim ajo vazhdon ta ndjekë, ndërsa thotë se dy fëmijët e saj vetëm sa e frymëzojnë më shumë.

“Normalisht çdo gjë rrotullohet rreth fëmijës tend. Ai ose ajo është arsyeja që ti ende duhet të motivosh veten tënde për të qenë një model për fëmijën tend, që ti mund t’ia arrish çdo gjëje. Çelësi është të gjesh mënyrën se si të menaxhosh dhe të gjesh atë balancën e duhur midis punës, karrierës, jetës, fëmijës, pse jo edhe bashkëshortit. Sepse janë tre gjëra që nuk mund t’i lini anash, prat ë ndalojmë diçka dhe të vazhdojmë dhe të vazhdojmë drejt një diçkaje tjetër. Kështuqë kjo është balanca që ne duhet të gjejmë së bashku me menaxhimin e kohës”, thotë zonja Qema.

Se sa e rëndësishme është përfshirja e nënave në sipërmarrje e pasqyron një studim i organizatës Pew, sipas të cilit nënat e fëmijëve deri në 12 vjeç humbën 2.2 milionë vende pune nga shkurti deri në gushtin e vitit 2020, tre herë më shumë se baballarët që në të njëjtën periudhë humbën 870 mijë vende pune.