Në Prishtinë do të hapet Festivali Olimpik “Tokio 2020”

Komiteti Olimpik i Kosovës do të organizojë Festivalin Olimpik “Tokio 2020”, i cili do të mbahet në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Festivali do të mbahet nga data 23 korrik deri më 8 gusht, gjatë kohës kur në Tokio të Japonisë do të mbahen Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Në këtë organizim do të jenë pjesëmarrës fëmijë të moshave të ndryshme të cilët do të promovojnë sportet me të cilat Kosova përfaqësohet në Tokio 2020, si dhe sporte të reja olimpike, të cilat në Kosovë janë formuar viteve të fundit, transmeton Klankosova.tv.

Hapja e këtij festivali do të bëhet nga kjo e premte me fillim në ora 11:00, një orë para se të bëhet hapja zyrtare e Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Festivali do të mbahet në dy termine gjatë ditës, prej orës 9:00 deri në 12:00 dhe pas dite prej 18:00 deri në 21:00.