Të hënën rikthehet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. I njëjti nuk ishte mbajtur vitin e kaluar për shkak të situatës me pandeminë, ndërsa këtë vit rikthehet me edicionin e 39-të.
Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi në një intervistë për KosovaPress thotë se edhe këtë vit interesimi i studentëve për të mësuar gjuhën shqipe është i madh. Programi i seminarit është i larmishëm duke pasur si bosht gjashtë tema kryesore për tri sesione shkencore por edhe një numër të konsiderueshëm të referimeve dhe të ligjëratave të rregullta në ditët e seminarit.
Munishi shton se programi i seminarit do të jetë i plotë si dhe në formatin e zakonshëm.
“Të gjitha përgatitjet janë në fazën e fundit për fillimin e edicionit të 39-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Tani jemi në fund të përgatitjes… Programi tashmë ka dalë, dhe të hënën, më 23 gusht në orën 11:00 do të jetë hapja solemne e këtij edicioni të seminarit”, tha ai.
Profesori në Universitetin e Prishtinës tregon se krahas seminaristëve, nuk është i vogël numri i studiuesve që do të marrin pjesë në sesionet dhe tryezat shkencore.
“Interesimi ka qenë i zakonshëm këtë vit. Sa i përket pjesëmarrësve nga ana e atyre që duan të mësojnë gjuhën shqipe kemi një numër rreth 50 aplikuesish, ndërkohë që kemi aplikime edhe të studiuesve të ndryshëm, që merren me studime albanologjike, të cilët kanë shprehur interesimin që të marrin pjesë në seminar dhe këta studiues vijnë nga vende të ndryshme të botës… Numri është jashtëzakonisht i madh, programi i seminarit do të jetë i plotë, në formatin e zakonshëm… do të kemi ligjërata, tryeza, referime dhe natyrisht në dy ditët e fundit do të jenë sesionet shkencore të seminarit”, thekson ai.
Munishi tregon edhe për temat bosht të këtij Seminari, ku për tri sesionet shkencore janë përzgjedhur gjashtë tema të ndryshme.
“Temat kryesore në sesionin e gjuhës do të jenë ‘Struktura e shqipes së vjetër’ dhe ‘Shqipja dhe variaritetet e saj’. Në letërsi, temat kryesore do të jenë: ‘Vetmia dhe veçimi në letërsinë shqipe’ dhe ‘Mësimdhënia e letërsisë në mijëvjeçarin e ri’. Ndërkaq, në sesionin e kulturës temat kryesore do të jenë: ‘Roli i medias në periudhën e infodemisë’ dhe ‘Fake news në epokën e vetëkomunikimit’. Pra, këto janë temat bosht të sesioneve shkencore, por krahas këtyre temave ne do të kemi një numër të konsiderueshëm të referimeve dhe njëkohësisht do të kemi edhe ligjërata të rregullta në ditët e seminarit”, tregon ai.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare organizohet për herë të parë në rrethana të tilla pandemike, andaj Munishi thotë se do të përpiqen të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ai tregon për KosovaPress se nuk kanë kërkuar asgjë të posaçme nga pjesëmarrësit, pasi që çështja e futjes së shtetasve të huaj në Kosovë bëhet sipas vendimeve të Qeverisë.
“Do të kërkojmë prej pjesëmarrësve që të kenë më tepër kujdes sa i përket anës së socializimit të tyre dhe njëkohësisht do të kërkojmë që të respektohen të gjitha masat mbrojtëse nga infektimet eventuale me virusin COVID-19. Patjetër që e kemi në konsideratë që një numër i pjesëmarrësve, po ashtu janë vaksinuar. Ne, në çdo aktivitet të seminarit do të përpiqemi të respektojmë rekomandimet e IKSHP-së”, shprehet ai.
Për shkak të situatës me pandeminë, Munishi thotë se kanë arritur të përgatiten për seminarin pa ndonjë vështirësi të madhe pasi që kanë pasur ndihmën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe atë të Universitetit të Prishtinës.
“Edhe këtë herë Seminari po tregon që është në gjendje të përballet me problemet e kohës, sikurse në të kaluarën kur seminari ka qenë nën trysni të ndryshme sikurse që ka qenë periudha në vitet e ‘90-ta, kur Seminari është ndaluar nga forcat serbe. Pra, edhe këtë vit, Seminari po i sfidon rrethanat dhe në këto rrethana të jashtëzakonshme, Seminari po tregon se studimet albanologjike nuk ndalen, ato bëhen jo vetëm në hapësirat shqiptare por edhe në ato ndërkombëtare”, thotë Munishi.
Hapja solemne e Seminarit të 39-të do të bëhet të hënën, më 23 gusht 2021, ndërsa punimet do të zhvillohen në Prishtinë nga 23 gusht – 3 shtator.