Qeveria japoneze ka ndihmuar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) me pajisje mjekësore për kujdesin shëndetësor për nënat dhe fëmijët në vlerë prej 55 mijë euro.
Dojan Molliqaj nga organizata “Action for Mothers and Children” (AMC), tha se është kënaqësi që të identifikohen nevojat dhe të bëhet e mundshme dhënia e këtij donacioni.Ai ka treguar se pajisjet që do të dhurohen janë tre mikroskopë dhe dy inkubatorë transportues për Institutin e Patologjisë dhe katër spitale rajonale.
“Një mikroskop për laboratorin e Institutit të Patologjisë, një mikroskop për laboratorin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, një mikroskop për laboratorin e Spitalit Rajonal të Prizrenit, një inkubator transportues për Spitalin Rajonal të Gjakovës dhe një inkubator transportues për Spitalin Rajonal të Mitrovicës”, ka thënë MolliqajAmbasadori i Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori ka thënë se është kënaqësi e madhe për të që të jetë pjesë e ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve dhe se me këto pajisje do ndihmohen nënat dhe fëmijët.
“Para këtij projekti Spitali i Mitrovicës dhe ai i Gjakovës nuk kishin inkubator funksional të transportit. Vetëm 30-50 % të foshnjave në nevojë mund të transferoheshin në QKUK. Me inkubatorin e ri transporti i të gjitha foshnjave të parakohshme, me probleme kardiake ose frymarrje do të transferohen në mënyrë të sigurtë”, ka thënë Mitsunori.
Mitsunori ka njoftuar se në Kosovë kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret më të shfaqura dhe përmes këtij projekti shumë gra do të përfitojnë nga mikroskopët që identifikojnë kancerin e hershëm.
Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi ka thënë se do të kujdeset që të gjitha pajisjet që I marrin si donacion do të shfrytëzohen në mënyrë racionale dhe do të mirëmbahen.Krasniqi tha se vlera e pajisjeve të dhuruar nga Japonia është 55 mijë euro duke shtuar se për më pak se një vit vlera e donacionit nga shteti japonez si ShSKUK, kalon miliona euro.