Leximi i librave me fëmijën tuaj 4-6 vjeç. Përse duhet të lexoni dhe çfarë të lexoni?

Leximi me fëmijën tuaj
Leximi me fëmijën mund të përfshijë leximin e librave, tregimeve, vjershave ose shkrime të tjera.
Mund:
• Të lexoni libra bashkë.
• T’i thoni tregime njëri-tjetrit.
• Të bisedoni për gjërat që keni lexuar.
• Të flisni për figurat në libra.
• Të thoni tregime edhe nëse s’e keni librin aty. Pse të mos i thoni edhe njëherë tregimet tuaja të preferuara?

 

Përse duhet të lexoni?

Leximi i librave dhe i tregimeve me fëmijën tuaj është zbavitës!
Është një mënyrë e mirë për të krijuar kujtime dhe çaste të
veçanta me fëmijën, si dhe mund të shndërrohet lehtë në pjesën
më të bukur të ditës.
Gjithashtu mund të ndihmojë fëmijët:
• Të kuptojnë botën përreth.
• Të zhvillojnë aftësi shoqërore dhe emocionale.
• Të përmirësohen në shkollë në lëndën e anglishtes, shkencës, matematikës dhe lëndë të tjera.
• Të krijojnë vetëbesim në komunikimin e tyre.
• Të forcojnë lidhjen me ju dhe anëtarët e tjerë të familjes.

 

Çfarë duhet të lexojmë?

Mund të lexoni gjithçka.
• Gjeni bibliotekën e zonës tuaj dhe shihni se çfarë i pëlqen fëmijës.
• Pyesni mësuesit, punonjësit e bibliotekës ose prindërit e tjerë që t’ju rekomandojnë libra.
• Mund të gjeni aplikacione që rrëfejnë tregime dhe tregime për tableta dhe kompjuterë. Thjesht sigurohuni të jeni me fëmijën dhe ta lexoni së bashku tregimin.

Provoni një seri librash me figura, vizatimorë, poezi dhe vjersha.
Mund edhe të lexoni të njëjtin libër çdo herë. Librat e njohur janë
qetësues dhe forcojnë vetëbesimin.

Mund të zgjidhni libra të rinj. Zgjidhni diçka së bashku që t’ju pëlqejë të dyve.
Librat nuk ka pse të jenë plot me fjalë.

Librat me figura janë fantastikë për t’u lexuar bashkë dhe diskutuar me fëmijën. Mund të përdorni figurat për të eksploruar tregimet dhe për të ndihmuar fëmijën të kuptojë libra që janë disi më të vështirë

 

Kur duhet të lexojmë?

Lexojini tregimet së bashku sa herë që të keni kohë.

Leximi për vetëm dhjetë minuta në ditë me fëmijën, ka të bëjë shumë.
• Mbajini librat me vete, që të keni gjithnjë tregime për të lexuar. Mund dhe të lexoni në tren ose në autobus, ose dhe kur prisni diku në radhë së bashku.
• Kur ndodheni jashtë, hidhni një herë një sy përreth. Shpikni së bashku me fëmijën tregime rreth atyre që shikoni.
• Koha para gjumit është dhe koha më e mirë për të lexuar së bashku. Ajo ndihmon në krijimin e një rutine dhe mund ta kthejë fjetjen në diçka të cilën fëmija e pret me padurim. Është një çast i veçantë që mund të lexojnë së bashku prindi dhe fëmija.

 

Si duhet të lexojmë në mënyrë që leximi të jetë sa më efektiv?

Gjeni një vend të qetë pa shqetësime.

Fikni televizorët, radiot, kompjuterët dhe tabletat. Shikojeni me ngadalë secilën faqe.
Nuk ka rëndësi nëse fëmija i thotë të gjitha fjalët saktë. S’ka problem edhe
sikur të dy të bëni gabime! Lërini t’ju flasin për figurat. Kjo i ndihmon të kërkojnë për
kuptimin dhe të mendojnë për atë që shohin se po ndodh në faqe.

Mos harroni të qeshni.

Nëse mendoni se ia dilni mirë mbanë, përpiquni të bëni fytyra të qeshura, të bëni zhurma kafshësh dhe të flisni me zërin e personazheve – këto i bëjnë gjithnjë fëmijët të qeshin!

 

Bëni pyetje kur lexoni së bashku.

Për shembull:
• Çfarë shikoni në këtë faqe?
• Si mendoni se ndihen personazhet?
• Çfarë mendoni se do të ndodhë në vijim?
Pasi të keni mbaruar, flisni për mënyrën si ndihet fëmija rreth librit:
• Çfarë u pëlqeu?
• Çfarë nuk u pëlqeu?
• Çfarë mund të mbajnë mend nga sa ndodhën?
• Cili ishte personazhi i tyre i preferuar?
Pse?
• Lidhja për tek tregimi me përjetimet e tyre. A mund të mbajnë mend se kur
kanë bërë diçka të ngjashme?

Dhe më e rëndësishmja, zbavituni!

 

Po sikur të përdorim tabletë ose kompjuter?

Librat elektronikë dhe aplikacionet me tregime janë tepër zbavitës!
Kur lexoni nga një tabletë ose kompjuter, qëndroni me fëmijën. Foluni për çfarë bëjnë
dhe ndihmojini të përdorin pajisjen.
• Është ide e mirë ta vendosni pajisjen në “Airplane Mode” (modalitet avioni)
përpara se t’ia jepni fëmijës, për të evituar shpenzime të paparashikuara
ose hyrje në internet.
• Bëni të njëjtat pyetje rreth tregimit siç do të bënit për librat në letër.

Kush duhet të lexojë në familje?

Bëhuni shembull për t’u ndjekur!
Nëse fëmija ju shikon duke lexuar, do të dojë të lexojë po njësoj.
• Përfshijeni familjen në ato që lexoni – flisni me ta për çfarë keni lexuar dhe se çfarë ju ka
pëlqyer nga tregimi.
• Inkurajoni miqtë dhe familjen të lexojnë libra me fëmijën tuaj. Sa më shumë njerëz të shohë fëmija duke lexuar, aq më shumë do të dojë të lexojë.